Ndërlidhjet

Kievi pa rrymë dhe ujë, Rusia kryen sulm masiv ajror në Ukrainë


Punonjësit e urgjencës të Ukrainës gjatë përpjekjeve për të shuar zjarrin pas një sulmi me raketa në rajonin e Odesës më 26 gusht.
Punonjësit e urgjencës të Ukrainës gjatë përpjekjeve për të shuar zjarrin pas një sulmi me raketa në rajonin e Odesës më 26 gusht.

Autoriteti shtetëror i energjisë i Ukrainës njoftoi se po aplikon ndërprerje emergjente të energjisë pas një sulmi masiv me dronë dhe raketa nga Rusia në Kiev dhe qytete të tjera ukrainase më 26 gusht.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitçko, tha se furnizimi me ujë dhe energji elektrike në disa pjesë të kryeqytetit është ndërprerë, ndërsa Rusia nisi sulmin e saj në shkallë të gjerë gjatë orëve të para të mëngjesit.

Në një mesazh, zyra e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dënoi siç e quajti ai "dëshirën e Rusisë për të shkatërruar sektorin” ukrainas të energjisë dhe premtoi se kjo "do t’i kushtojë shumë Rusisë", përfshirë infrastrukturën e saj.

Ndërkohë, shefi i stafit të presidentit ukrainas, Andriy Yermak, u bëri thirrje aleatëve të Kievit ta lejojnë Ukrainën t'i përdorë armët, me të cilat e ka furnizuar Perëndimi për të kryer sulme me rreze të gjatë kundër Rusisë.

Yermak tha se kjo do të "përshpejtojë fundin e terrorit rus".

Dëmet e shkaktuara nga sulmi rus në rajonin Dnipropetrovsk në Ukrainë.
Dëmet e shkaktuara nga sulmi rus në rajonin Dnipropetrovsk në Ukrainë.

Sipas zyrtarëve ukrainas, forcat ruse sulmuan disa qytete ukrainase, duke vrarë të paktën tre persona dhe plagosur disa të tjerë.

Një person u vra dhe një ndërtesë banimi u dëmtua në qytetin veriperëndimor të Lutskut, sipas kryetarit të qytetit, Ihor Polischuk.

Dy persona u vranë në rajonet Zaporizhja dhe Dnipropetrovsk, sipas autoriteteve lokale.

Në rajonin Poltava, pesë persona u plagosën pasi një objekt industrial u godit nga bombat.

Tre shpërthime u raportuan në rajonin e Vinitsia.

Më herët, 16 rajone në Ukrainë, përfshirë kryeqytetin Kiev, ishin nën alarme të reja për sulme ajrore pas sulmeve me valë dronësh nga Rusia më 26 gusht.

Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës kishte paralajmëruar qytetarët që të mos injorojnë alarmin e sulmit ajror pasi kishte zbuluar ngritjen e 11 bombarduesve rusë Tu-95MS.

Komanda shtoi se kishte zbuluar lëvizje dronësh në disa rajone dhe në Kiev, ndërsa Marina e Ukrainës tha se në Detin e Zi gjendeshin katër anije ruse që mbanin deri në 28 raketa lundrimi Kalibr.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendoi se 20 dronë ukrainas ishin shkatërruar gjatë natës.

Njësitet e zjarrfikësve duke ndihmuar banorët pas sulmit rus.
Njësitet e zjarrfikësve duke ndihmuar banorët pas sulmit rus.

Guvernatori i rajonit Saratov të Rusisë, Roman Busargin, tha se dronët kishin shënjestruar qytetet Saratov dhe Engels dhe kishin dëmtuar dy ndërtesa banimi.

Ai tha se dëmi u shkaktua nga mbetjet që ranë pasi sistemet e mbrojtjes ajrore qëlluan dronët.

Agjencitë ruse të lajmeve raportuan se katër gra u plagosën në Saratov dhe se një grua u shtri në spital.

Nuk u raportua për viktima në qytetin Engels.

Engels dhe Saratov ndodhen në brigjet e kundërta të lumit Vollga, me një bazë ushtarake strategjike të bombarduesve që ndodhet rreth 12 kilometra larg nga vendi ku u kapën dronët.

Saratov është rreth 900 kilometra nga kufiri ukrainas.

Duke cituar zyrën e shtypit të aeroportit, agjencitë e lajmeve thanë se në aeroportin rajonal të Saratovit u kufizuan fluturimet.

Radio Evropa e Lirë nuk mundi t'i verifikonte në mënyrë të pavarur këto raportime.

Ukraina dhe Rusia këmbëngulin se nuk synojnë civilët në sulmet e tyre, por infrastrukturën kritike luftarake.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG