Ndërlidhjet

Rusia shpall më shumë gazetarë të REL-it si "agjentë të huaj"


Flamuri i Rusisë.
Flamuri i Rusisë.

Ministria ruse e Drejtësisë ka shtuar të premten më shumë gazetarë, përfshirë pesë gazetarë të Radios Evropa e Lirë, në listën e “agjentëve të huaj”.

Legjislacioni rus për “agjentë të huaj” është miratuar më 2012 dhe është ndryshuar vazhdimisht.

Ky legjislacion u kërkon organizatave joqeveritare që marrin ndihmë të huaj, apo atyre që Qeveria ruse beson se janë të përfshira në aktivitet politik, që të regjistrohen, të identifikohen si “agjente të huaja" dhe t'i dorëzojnë aplikacionet.

Më vonë, ndryshimet e ligjit kanë shënjestruar edhe mediat e financuara nga jashtë, duke përfshirë Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë (REL), gjashtë shërbime tjera ruse të lajmeve të REL-it dhe Current Time, kanal televiziv rus, që drejtohet nga Radio Evropa e Lirë dhe Zëri i Amerikës.

Në vendimin e së premtes, autoritetet kanë shtuar në listë edhe gazetarët: Tatyana Voltskaya, Ekaterina Klepikovskaya, dhe Elena Solovyova, që bashkëpunojnë me Shërbimin rus të REL-it, Elizaveta Surnacheva, gazetare ruse që punon për Current Time në Kiev dhe gazetarin e Current Time, Roman Perl.

Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Jamie Fly, e ka dënuar këtë hap, duke e konsideruar sulm ndaj mediave të lira në Rusi dhe ka përsëritur përkushtimin e mediumit për audiencën ruse.

“Shënjestrimi i sotëm nga Kremlini për pesë shtetas rusë që punojnë për REL-in, është hapi i fundit për të heshtur mediat e pavarura në Rusi. Ne do të vazhdojmë ta luftojmë këtë ligj për 'agjentë të huaj' që kontrollon informacionin në të cilin mund të ketë qasje populli rus”, ka thënë Fly.

“Përkushtimi ynë për t’iu shërbyer audiencave në Rusi nuk do të lëkundet”.

Në mesin e gazetarëve të shtuar në listë më 8 tetor janë edhe Daniil Sotnikov, nga kanali i pavarur televiziv Dozhd, korrespodenti i Shërbimit rus në BBC, Andrey Zakharov, Galina Arapova, drejtore në Qendrën për Mbrojtje të të Drejtave të Mediave dhe aktivisti për ambientin, Yevgeny Simonov.

Rreth 85 persona dhe organizata janë pjesë e listës për “agjentë të huaj”, 68 prej të cilëve janë regjistruar këtë vit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG