Ndërlidhjet

Rusia rrit nivelet e ujërave edhe për prestigj politik


Aktivistët kanë akuzuar Rusinë se është duke e devijuar rrjedhën e lumit Kazan, që derdhet në Kaspik.
Aktivistët kanë akuzuar Rusinë se është duke e devijuar rrjedhën e lumit Kazan, që derdhet në Kaspik.

Aktivistët pretendojnë se zyrtarët rusë janë duke devijuar rrjedhën e degës më të madhe ujore në Detin Kaspik për prestigj politik.

Banorët e Kazanit në Rusi jetojnë 1.000 kilometra në veri të Kaspikut, por mund të dëshmojnë për aktivitetin njerëzor që ndikon në të.

Aty, lumi Kazanka bashkohet me Vollgën - burimin më të madh të ujit në Detin Kaspik - dhe rrjedhat e tyre ndryshojnë shumë.

Në shtator të vitit 2023, Kazanka ishte aq e ulët saqë edhe rrjedha e saj u ngadalësua.

Por, në tetor të vitit 2024, ishte aq e lartë, saqë imazhi i pasqyrës së Kremlinit të Kazanit shkëlqente në ujërat e saj.

Kjo nuk ndodhi vetëm për shkak të motit.

“E gjithë Vollga është përshtatur”, thotë Yulia Faizrakhmonova, aktiviste që monitoroi nivelet e ujit atje për dhjetë vjet, derisa u largua nga Rusia, pasi nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në vitin 2022.

“Ka një kaskadë rezervuarësh që drejtohen nga Agjencia Federale e Burimeve të Ujit”, thotë ajo për Shërbimin Tatar-Bashkir të Radios Evropa e Lirë.

Këta rezervuarë dhe digat përgjatë Vollgës kanë qenë prej kohësh të lidhura me zvogëlimin e rrjedhave të ujit në Detin Kaspik, duke kontribuar kështu në rënien e nivelit të ujit atje.

Vollga siguron 85 për qind të ujit që rrjedh në Kaspik, sipas ueb-faqes së analizave, Kaspiisky vestnik.

Zyrtarët rusë kanë pranuar se rrjedhat janë devijuar - në disa raste për t’i ndihmuar zonat që prodhojnë havjar në rajonin e Astrakhanit, pranë bregut të Kaspikut - dhe i kanë lënë vendet si Kazani me nivele shumë më të ulëta uji.

“Ata kanë peshkun më të vlefshëm tregtar - bli - në rajonin e Astrakhanit”, thotë Faizrakhmonova.

“Por, sigurisht, pjesa jonë e Vollgës vuan”, shton ajo.

Nivel i ulët i ujit në lumin Kazan. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Nivel i ulët i ujit në lumin Kazan. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Në tetor të vitit 2023, niveli i ujit në rezervuarin Kuibishev, në jug të Kazanit, ishte tejet i ulët, sipas shifrave të publikuara nga kompania hidroelektrike, RusHydro.

Kjo i nxiti udhëheqësit e pesë rajoneve t’i bëjnë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, për “stabilizimin” e nivelit të ujit në Vollgë.

Presidenti i rajonit të Tatarstanit, Rustam Minnikhanov, tha në një takim në Moskë se mungesa e ujit është duke shkaktuar “trazira sociale”.

Një vit më vonë, situata ndryshoi dhe niveli i ujit ishte shumë i lartë.

Disa besojnë se ky ishte një vendim politik që nuk lidhej me apelin e bërë, por më tepër me dëshirën për ta bërë Kazanin të duket më së miri para liderëve të huaj, që morën pjesë në samitin e BRICS-it në këtë qytet, muajin e kaluar.

“Mesa duket, për një ngjarje si kjo, është arritur marrëveshje në nivel federal me [zyrtarët nga] rajoni i Kaspikut”, tha aktivisti mjedisor, Timur Eskarayev, për gazetën lokale të lajmeve, Inkazan.

Faizrakhmonova pajtohet. Ajo thotë se gjatë punës së saj në Vollgë, ka vërejtur, gjithashtu, një korrelacion midis nivelit të ujit dhe ngjarjeve prestigjioze.

Një rast i tillë ishte Kampionati Botëror i Futbollit në vitin 2018, kur në Kazan u zhvilluan disa ndeshje.

Të tjerë, ndërkaq, flasin për shkaqe të tjera të rritjes së nivelit të ujit.

Biologu me bazë në Kazan, Anton Bortyakov, i tha Inkazanit se bëhej fjalë për një kombinim të borës së madhe në dimër, të paralajmërimit të Minnikhanovit dhe të mbështetjes së shtuar për pozicionin e Tatarstanit në një komision qeveritar, që shqyrtoi rregullimin e rrjedhës së Vollgës.

Por, sidoqoftë, në fillim të nëntorit u vu re se nivelet e ujit ranë sërish.

Radio Evropa e Lirë i shkroi Minnikhanovit për ta pyetur nëse nivelet e larta të ujit ishin të lidhura me samitin e BRICS-it, por nuk mori përgjigje.

REL-i është klasifikuar si “organizatë e padëshirueshme” nga autoritetet ruse.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG