Pavarësisht pretendimeve të Rusisë se ka pushtuar qytetin e Bahmutit, përleshjet e rënda për kontrollin e qytetit lindor kanë vazhduar, siç është raportuar nga ushtria ukrainase më 22 maj.
Në pjesën e Ukrainës të pushtuar nga Rusia, një zyrtar i emëruar nga Moska deklaroi më 22 maj se termocentrali bërthamor i Zaporizhjas ishte fikur dhe po mbështetej në gjeneratorët e energjisë emergjente.
Që nga pushtimi rus në shkurt të vitit 2022, uzina është detyruar të operojë me gjeneratorë rezervë në shumë raste.
Sipas raportit të përditshëm nga Shtabi i Përgjithshëm i forcave ushtarake të Ukrainës, fusha kryesore e betejës në Ukrainën lindore vazhdon të jetë vija e frontit Bahmut-Avdivka-Marinka, në rajonin e Donjeckut.
Forcat ukrainase zmbrapsën me sukses 37 sulme të ndërmarra nga forcat ruse brenda 24 orëve të fundit.
Ushtria gjithashtu deklaroi se forcat ruse kryen gjithsej 52 sulme raketore dhe ajrore që kishin për cak objektet ushtarake ukrainase, po ashtu edhe zonat civile.
Guvernatori rajonal Serhiy Lysak raportoi se në rajonin jugor të Dnipropetrovsk, Rusia kreu një sulm me dron dhe raketa më 22 maj. Megjithatë, të 15 dronët dhe katër raketat e lundrimit u rrëzuan nga mbrojtja ajrore e Ukrainës. Lysak përmendi se një person ka pësuar lëndime të lehta dhe ka pasur disa dëme të shkaktuara nga incidenti.
Në Zaporizhja, Vladimir Rogov, një zyrtar i emëruar nga Rusia, deklaroi se centrali bërthamor ishte shkëputur plotësisht nga furnizimi i jashtëm me energji elektrike. Kjo shkyçje ndodhi pasi Ukraina ndërpreu një linjë elektrike që ajo kontrollon.
Impianti i Zaporizhjas, i cili është centrali bërthamor më i madh në Evropë, mbeti pa energji pas bombardimeve ruse të një linje transmetimi të tensionit të lartë, siç u konfirmua nga operatori ukrainas i uzinës, Enerhoatom, më 22 maj.
Ky është rasti i shtatë që nga fillimi i pushtimit rus, ku centrali bërthamor ka funksionuar pa fuqi të jashtme.
"Pas humbjes së fuqisë së jashtme, e cila është jetike për të siguruar funksionimin e pompave ftohëse, gjeneratorët me naftë u ndezën automatikisht. Ata kanë karburant për 10 ditë. Numërimi mbrapsht ka filluar", tha Enerhoatom.
Anatoliy Kurtev, sekretari i këshillit të qytetit të Zaporizhjas në Ukrainë, tha se puna ishte duke vazhduar që nga fillimi i 22 majit për të rivendosur energjinë në qytet.
Rusia gjatë fundjavës pretendoi se kishte marrë kontrollin e Bahmutit, por presidenti Volodymyr Zelensky dhe komandantët ukrainas e kanë kundërshtuar deklaratën, duke thënë se luftimet vazhdojnë ende në Bahmut.
Presidenti rus Vladimir Putin lëshoi një deklaratë urimi për forcat e tij më 20 maj pasi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë dhe kreu i grupit mercenar Ëagner, i cili ka qenë në linjë të parë në fushbetejën e sulmit të Moskës në Bahmut, njoftuan se kishin marrë qytetin.
Komandantët ushtarakë ukrainas hodhën poshtë me shpejtësi pretendimet e Rusisë, pasi komandanti i forcave tokësore të vendit pohoi se qyteti i Bahmutit mbetet një zonë e kontestuar. Ai tha më tej se forcat ukrainase po rrethonin në mënyrë aktive Bahmutin nga periferia, duke përgatitur një kundër-sulm.
Gjatë një takimi me udhëheqësit e shtatë vendeve të industrializuara të Grupit të Shtatë (G7) në Hiroshimë, Japoni, më 21 maj, për të diskutuar ndihmën e mundshme ushtarake, presidenti Zelensky u pyet nga gazetarët nëse Rusia e ka marrë nën kontroll qytetin.
Ai u përgjigj me një "jo".
Megjithatë, dukej se ai minimizoi rëndësinë e humbjeve të mundshme.
Zelensky krahason Bahmutin me "Hiroshimën e rrënuar"
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden deklaroi se Rusia kishte pësuar mbi 100,000 viktima në Bahmut, një qytet të cilin presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e krahasoi me sulmin me bombë atomike në Hiroshima gjatë Luftës së Dytë Botërore.
"Bahmuti sot mbetet vetëm një vend në zemrat tona", tha ai, duke e krahasuar shkatërrimin e tij të gjerë me atë të Hiroshimës, e cila pothuajse u zhduk nga një bombë atomike gjatë Luftës së Dytë Botërore.
"Bahmuti nuk është kapur nga Federata Ruse deri më sot. Nuk ka dy ose tre interpretime për këtë", u tha ai gazetarëve.
Pushtimi i Bahmutit - të cilit Rusia i referohet me emrin Artyomovsk, të epokës sovjetike - do të përfaqësonte fitoren e parë të madhe të Moskës që nga fillimi i konfliktit për këtë qytet para më shumë se 10 muajsh.
Udhëheqësit e demokracive më të pasura në botë në samitin e G7 thanë se nuk do të tërhiqen nga mbështetja e Ukrainës.
Zelensky, i cili zhvilloi një takim privat me presidentin amerikan Biden në Hiroshima, tha se ishte i bindur se Kievi do të merrte avionë luftarakë F-16 nga Perëndimi.