Ndërlidhjet

Rusia nuk sheh humor të zi në “Vdekjen e Stalinit”


Pamje nga filmi "Vdekja e Stalinit"
Pamje nga filmi "Vdekja e Stalinit"

Dy ditë pasi ishte planifikuar të lansohej komedia e zezë për rënien e Josef Stalinit në Rusi, Ministria e Kulturës e ka ndaluar atë, duke thënë se filmi britanik për luftën e pushtetit, e cila e ka përcjellur vdekjen e diktatorit sovjet më 1953, ka qenë ekstremiste, mashtruese dhe fyese ndaj kombit rus.

“Vdekja e Stalinit”, nën drejtimin e producentit skocez, Armando Iannucci, ishte gati për publikun e kinemave ruse për datën 25 janar. Mirëpo në minutën e fundit, vendimi i Ministrisë së Kulturës për të anuluar të drejtën për shpërndarjen e filmit, e ka ndaluar shfaqjen e tij, të paktën tani për tani. Vendimi i ministrisë ka ardhur pasi e njëjta i ka dhënë filmit komente negative.

Filmi është shfaqur për zyrtarët pasi një grupi i avokatëve brenda ministrisë i ka bërë thirrje ministrit të Kulturës, Vladimir Medinsky, për të anuluar licencën e filmit, përmes një letre që ka parë agjencia e lajmeve TASS.

“‘Vdekja e Stalinit’ ka për qëllim të nxisë urrejtje dhe armiqësi, të poshtërojë popullin rusë (dhe sovjet), të propagandojë inferioritetin e një personi për statusin e tij social e kombëtar, andaj këto janë shenja të ekstremizmit”, kanë shkruar ata.

Në letër është veçuar prezantimi i figurave historike në film, duke theksuar zyrtarin më të përmendur të Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore, marshallin, Georgy Zhukov. Sipas autorëve të letrës, heroi i luftës sovjetike është portretizuar si “militant qesharak”.

“Ne jemi të sigurt se filmi është krijuar për të shtrembëruar të kaluarën e shtetit tonë, kinse popullata sovjetike e periudhës së vitit 1950, ka krijuar vetëm tmerr dhe neveri”, është thënë ndër të tjera në letër.

Tabloidi më i popullarizuar në Rusi, Komsomolskaya Pravda, e ka cilësuar “Vdekjen e Stalinit” si “komedi e cila mund të ishte filmuar nga Hitleri”.

Filmi i vitit 2017, i cili është lansuar në Britaninë e Madhe në tetor, derisa do të shfaqet për publikun gjatë këtij viti në Shtetet e Bashkuara, prek disa çështje për të cilat është e ndjeshme Moska. Ndjenja se kontributi sovjet në fitoren e aleatëve në Luftën e Dytë Botërore nuk është njohur në mënyrë adekuate, për humbjen e jetës së miliona personave, është kthyer në një lidhje kyçe të ideologjisë për Kremlinin.

Ky film është po ashtu në kundërshtim me rehabilitimin e heshtur të Stalinit, nën udhëheqësinë e presidentit rus, Vladimir Putin. Mediat shtetërore kanë shfaqur rolin e Stalinit me industrializimin e shtetit dhe fitimit e luftës, derisa nuk kanë shfaqur pjesën e tij për spastrimet dhe kolektivizmin e detyruar.

Sondazhet tregojnë se opinioni i publikut rus ka qenë më pozitiv për Stalinin në kohën e Putinit, pavarësisht se ai është fyer në pjesën më të madhe të ish-Bashkimit Sovjetik dhe Perëndimit.

“Mbeturinë e pazakonshme”

Shkrimtari dhe udhëheqësi i trupit këshillues në Ministrinë e Kulturës, Yury Polyakov, i ka thënë agjencisë TASS në janar, se shikuesit rusë duhet të mbrohen dhe filmi nuk duhet të shfaqet. Ai e ka cilësuar filmin si “fyerje të ndjenjave tona civile dhe kombëtare”.

Polyakov ka thënë se asnjë zyrtar që e ka parë filmin nuk e ka përkrahur atë.

“Të gjithë kanë thënë se është një film shumë i keq nga ana profesionale, absolutisht i pavërtetë. Kjo është një luftë ideologjike kundër shtetit tonë”.

“Ky ka qenë mendim anonim”, ka thënë ai.

Këshilltari i drejtorit të Gardës Kombëtare Ruse, Aleksandr Khinshtein, e ka cilësuar filmin si “të paktën mbeturinë të pazakonshme”.

Zëdhënësi presidencial, Dmitry Peskov, nuk ka pranuar të komentojë në një konferencë telefonike për gazetarë, duke thënë se Kremlini nuk është njoftuar për situatën dhe se “Ministria e Kulturës e ka pasur të drejtën speciale” për ta ndaluar atë.

Zhukov portretizohet si torollak

Në vend të suspendimit të licencës së filmit, një anëtar i trupit këshillues të Ministrisë së Kulturës ka kërkuar vetëm shtyrjen e filmit.

Pavel Pozhigaylo i ka thënë RBC news, se marshalli Zhukov është “portretizuar si torollak“ dhe se filmi “njollos simbolet tona historike, himnin sovjet, rregullin dhe medaljet”.

Ai po ashtu e ka cilësuar këtë çështje si “dhunë ekstreme”.

Sipas tij filmi nuk duhet të shfaqet në 75 vjetorin e fitores kundër nazistëve në Betejën e Stalingradit në shkurt. Ai po ashtu ka thënë se shfaqja e një filmi të tillë në kinema do të ishte e papërshtatshme, për shkak të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në mars.

Komentet kundërthënëse për filmin kanë ardhur pasi presidenti Putin kërkon një tjetër fitore, për t’i shtuar udhëheqjes së tij 18 vjeçare edhe gjashtë vite të tjera. Putin është tashmë lideri që ka qëndruar më së shumti në detyrë nga koha e Josef Stalinit, i cili ka udhëhequr Bashkimin Sovjetik nga mesi i 1920-tave deri më 1953.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG