Ndërlidhjet

Rusia tregon pjesë të video-lojës si dëshmi për mbështetjen e SHBA-ve për IS-in


Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka fshirë këtë postim në Twitter, ku shfaqeshin pamje të një video-loje
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka fshirë këtë postim në Twitter, ku shfaqeshin pamje të një video-loje

Ushtria e Rusisë i ka publikuar ato që i ka quajtur “dëshmi të pakontestueshme” se Shtetet e Bashkuara i kanë ndihmuar militantët e Shtetit Islamik (IS) në Siri, me qëllim që “t’i promovojnë interesat amerikane”.

Por, janë paraqitur probleme me këto pamje të cilat Moska i ka publikuar dje, së bashku me akuzat e veta, pasi një pjesë e dëshmive ishte marrë nga një video-lojë, ndërsa të tjerat ishin marrë nga një film i vjetër nga Iraku.

Akuzat e publikuara në mediat sociale nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, u bënë pas raportit të rrjetit BBC, sipas të cilit, koalicioni i forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, i kishte lejuar qindra luftëtarë të IS-it që të largoheshin nga qyteti lindor sirian, Raka.

deklaratën e publikuar në rrjetin Facebook, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e ka akuzuar koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, se në mënyrë të ngjashme i ka lejuar militantët e IS-it që të largohen nga qyteti lindor sirian, Albu Kamal, duke i penguar sulmet ruse kundër militantëve.

Në deklaratën, të cilën e ka paralajmëruar në rrjetin Twitter, janë përfshirë disa pamje për të cilat ministria thotë se i tregojnë makinat e IS-it duke u larguar nga Albu Kamal, në kufirin ndërmjet Sirisë dhe Irakut, më 9 nëntor.

Por shfrytëzuesit në Twitter, përfshirë edhe grupet hetuese, Conflict Intelligence Team (CIT) dhe Bellingcat, kanë vërejtur se diçka nuk ishte në rregull: njëra prej fotografive ishte e ngjashme me një video promovuese të vitit 2015 për një video-lojë mobile, të quajtur, SC-130 Gunship Simulator – Special Ops Squadron.

CIT-i , po ashtu, ka zbuluar se pamjet e tjera të publikuara nga minsitria ruse ishin marrë nga videot e Ministrisë së Mbrojtjes së Irakut për operacionet kundër IS-it, afër qytetit Falluxha në vitin 2016.

Menjëherë pas kësaj, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë i ka larguar të dy postimet në Facebook, atë origjinale në gjuhën angleze dhe paralajmërimin në Twitter me fotografi. Megjithatë, ato ajanë tërhequr vetëm pasi ishin transmetuar në Televizionin shtetëror të Rusisë.

Më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e ka zëvendësuar deklaratën e vet në gjuhën ruse me një tjetër në gjuhën angleze, ku po ashtu, theksohen “dëshmi të pakontestueshme” se Shtetet e Bashkuara po i “mbulonin” njësitet e IS-it për t’i “ripërtërirë kapacitetet e tyre luftarake, për rivendosje dhe për përdorim të tyre për promovimin” e interesave të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme.

Por, komentet nën përditësimin e tekstit në Facebook, ku nuk dukeshin pamjet origjinale, ishin tejet therëse dhe sarkastike.

Hej djelmosha çfarë forme duhet të plotësojë për zbritje të taksave, për t’i kthyer paratë që i kam paguar, e që aksidentalisht ishin shpenzuar, prandaj Ministria e Mbrojtjes mund të luajë në Simulatorin AC-130?”, kishte shkruar një komentues.

Një shfrytëzues në Twitter e ka postuar një fotografi nga video-loja e njohur, Frogger, e viteve të 80-ta, me legjendën e njëjtë që e kishte shfrytëzuar ministria: “konvoji i automobilave të IS-it largohet nga Albu Kamal për kufirin Siri-Irak (9 nëntor 2017)”.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë mbrëmë vonë tha se po zhvillonte hetime për një “të punësuar civil” të një departamenti të saj, i cili “gabimisht i ka bashkuar” pamjet në deklaratë, kanë raportuar agjencitë shtetërore ruse të lajmeve.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se Moska “ka shumë pyetje” për përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për tu shkaktuar disfatë militantëve të IS-it në Siri, dhe e ka theksuar atë që ai e quajti “përpjekje e SHBA-ve për t’i kursyer terroristët” në Albu Kamal dhe Raka, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, TASS.

Çka raportoi BBC-ja për Ikjen nga Raka?

Raporti i BBC-së lidhur me largimin e luftëtarëve të Shtetit Islamik nga qyteti Raka, e ka cituar koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i cili ka konfirmuar se marrëveshja për largimin e tyre ishte arritur ndërmjet “liderëve lokalë në terren” dhe se zyrtarët perëndimorë nuk kishin marrë “pjesë aktive” në bisedime.

Kjo shkon në zemër të strategjisë sonë – me, së bashku dhe nëpërmjet – liderëve lokalë në terren. U takon sirianëve, ata janë personat që luftojnë dhe vdesin, ata duhet të bëjnë vendime lidhur me operacione”, është cituar nga BBC-ja, zëdhënësi i koalicionit, Ryan Dillon.

Revista Newsweek dje e ka cituar koalicionin që ka thënë se nuk ka “bërë marrëveshje me terroristët” dhe e ka përgënjeshtruar pretendimin e BBC-së se ishte përfshirë në “marrëveshje sekrete” me militantët e IS-it.

Muajin e kaluar, koalicioni tha se ishte arritur një marrëveshje për evakuimin e civilëve nga Raka dhe ka shtuar se në marrëveshje “konsiderohet se përjashtohen terroristët e jashtëm” të IS-it.

Ne nuk e pranojmë asnjë marrëveshje që i lejon terroristët e IS-it të largohen nga Raka, pa u ballafaquar me drejtësi, vetëm për tu rishfaqur diku tjetër”, tha në atë kohë, drejtori i operacioneve të koalicionit, gjenerali amerikan, Jonathan Braga.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG