Një prej aleatëve më të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin, tha se Moska tani po lufton në Ukrainë me aleancën ushtarake të udhëhequr nga SHBA-ja, NATO.
Nikolai Patrushev shtoi se Perëndimi po tenton që ta zhdukë Rusinë nga harta politike e botës.
Putin e konsideron luftën në Ukrainë si një betejë ekzistenciale dhe e akuzon Perëndimin se është agresiv dhe arrogant. Lideri rus ka thënë se Rusia do të përdorë të gjitha mjetet që ka në dispozicion për të mbrojtur veten dhe popullin e saj kundër çdo agresori.
Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Nikolai Patrushev, shihet nga diplomatët si një prej njerëzve që kanë ndikim të madh te Putini. Ai ka premtuar fitore në Ukrainë, pavarësisht se trupat ruse janë përballur me shumë pengesa në fushëbetejë.
“Ngjarjet në Ukrainë nuk janë përplasje midis Moskës dhe Kievit – ky është një konfrontim ushtarak midis Rusisë dhe NATO-s dhe mbi të gjitha Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë”, tha Patrushev gjatë një interviste për gazetën Argumenti i Fakti.
“Planet e ‘perëndimorëve’ janë që të vazhdojnë ta ndajnë Rusinë dhe ta fshijnë nga harta politike e botës”, shtoi Patrushev.
Shtetet e Bashkuara kanë hedhur poshtë pretendimet se duan ta shkatërrojnë Rusinë, shtetit që është prodhuesi më i madh i burimeve natyrore. Presidenti amerikan, Joe Biden, ka paralajmëruar se një konflikt midis Rusisë dhe NATO-s mund të nxisë nisjen e Luftës së Tretë Botërore.
Pushtimi rus i Ukrainës, që nisi më 24 shkurt 2022, është një prej konflikteve më vdekjeprurëse në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Po ashtu, ka shkaktuar konfrontimin më të madh midis Moskës dhe Perëndimit që prej krizës së raketave kubane të vitit 1962, kur Bashkimi Sovjetik dhe SHBA-ja ishin afër një lufte bërthamore.