Ndërlidhjet

Rusia lëshon një satelit iranian në Hapësirë


Raketa ruse Soyuz shihet duke u nisur në Hapësirë.
Raketa ruse Soyuz shihet duke u nisur në Hapësirë.

Një raketë ruse ka lëshuar me sukses një satelit iranian në Hapësirë.

Ky lajm u bë i ditur në kohën kur Moska dhe Teherani synojnë të krijojnë lidhje më të forta, meqë po përballen me sanksionet e Perëndimit.

Sateliti "Khayyam" është lansuar përmes raketës ruse Soyuz nga stacioni rus Baikonur në Kazakistan, ka thënë të martën Agjencia ruse e Hapësirës, Roskosmos.

Teherani ka hedhur poshtë pretendimet se sateliti mund të përdoret nga Moska për të rritur kapacitetet e inteligjencës për Ukrainën, duke thënë se Irani do të ketë kontroll të plotë të satelitit “nga dita e parë”.

E përditshmja amerikan, Washington Post, ka raportuar javën e kaluar se zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar për bashkëpunimin hapësinor në mes të Rusisë dhe Iranit.

Sipas tyre, sateliti jo vetëm që do t’i ndihmojë Rusisë në Ukrainë, por edhe do t’i ofrojë Iranit “kapacitete të pashembullta”, për të vëzhguar shënjestrat potenciale ushtarake në Izrael dhe Lindje të Mesme.

Irani ka thënë se sateliti është i dizajnuar për hulumtime shkencore që do të kontribuojnë në sektorin e bujqësisë.

Rusia ka tentuar të thellojë lidhjet me Iranin prej 24 shkurtit, kur Kremlini ka marrë vendim për dërgim të mijëra trupave në Ukrainë.

Në muajin korrik, presidenti rus, Vladimir Putin, ka vizituar Iranin.

Kjo ka qenë vizita e tij e parë ndërkombëtare jashtë ndonjë vendi të ish-Bashkimit Sovjetik, që prej nisjes së luftës në Ukrainë.

Në Iran, lideri suprem, Ayatollah Ali Khamenei, i ka thënë Putinit se Teherani dhe Moska duhet të jenë vigjilentë kundër “mashtrimit perëndimor”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG