Rusia ka kryer sulme të mëdha ajrore kundër objekteve energjetike të Ukrainës, duke i përdorur dhjetëra raketa lundruese dhe dronë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka quajtur sulmet “akt terrorizmi”.
Ukraina perëndimore dhe jugperëndimore u goditën nga këto sulme ruse të premten.
Objektet jetike energjetike u goditën në rajonin Transkarpatian, tha guvernatorja rajonale Svitlana Onyshchuk, e cila shtoi se sulmi ndaj këtij rajoni ishte më i madhi që nga fillimi i luftës.
Rajoni perëndimor Ternopil raportoi “pasoja negative” nga sulmet ruse, pa dhënë më shumë hollësi. Në rajonin e Lvivit, i cili ndodhet në perëndim të vendit, Rusia i sulmoi objektet energjetike, tha guvernatori rajonal Maksym Kozytskiy.
Shpërthime të shumta u raportuan në qytetin jugor të Odesës, ndërsa autoritetet në Kiev thanë se sistemet kundërajrore janë duke vepruar të premten.
Për shpërthime u raportua edhe në rajonet Çerkasi, Hmelnitski dhe Harkiv.
Zelensky tha se sulmi tregoi se presidenti rus, Vladimir Putin, “nuk do të ndalet nga fjalët boshe”.
Zelensky tha se, sipas të dhënave paraprake, Rusia i lëshoi 93 raketa, duke përfshirë të paktën një raketë të Koresë së Veriut, 81 prej të cilave u rrëzuan. Përveç kësaj, rreth 200 dronë u përdorën gjithashtu në këto sulme, tha ai.
Operatori kombëtar i rrjetit elektrik të Ukrainës, Ukrenerho, raportoi më herët se sulmet ruse e detyruan atë vendosë reduktime në furnizimin me energji elektrike në të gjithë vendin.
Këto sulme u kryen në një kohë kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës më të madhe në Evropë ndër dekada po rriten.
“Ky është ‘plani i paqes’ i Putinit: të shktërrojë gjithçka. Kështu dëshiron ai të “negociojë” – duke i terrorizuar miliona njerëz”, shkroi Zelensky në X pas sulmeve ruse.
Luftimet në fushëbeteja janë ashpërsuar pasi të dyja palët janë duke synuar t’i përforcojnë pozicionet e tyre, pasi ka shenja për një armëpushim të mundshëm dhe për bisedime për paqe në muajt në vijim.
Rusia i ka shpeshtuar sulmet në të gjithë Ukrainën, derisa ka bërë përparime të ngadalta, por të qëndrueshme, në lindje javët e fundit.
“Putini nuk do të ndalet nga fjalët boshe – forca është ajo që nevojitet për të sjellë paqen. Forca që nuk ka frikë nga aftësia e saj për t’u përballur dhe për të ndalur të keqen”, tha Zelensky.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha në një mesazh në Telegram se sulmet ishin hakmarrje për një sulm që Ukraina e kreu në një aeroport në jugperëndim të Rusisë duke përdorur raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi.
“Më 11 dhjetor 2024, një sulm raketor u lëshua nga territori i Ukrainës me gjashtë raketa ATACMS të prodhimit amerikan, ndaj një aeroporti ushtarak pranë qytetit të Taganrogut”, tha Ministria ruse.
Rusia i kreu këto sulme një ditë pasi shefi i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi se Putini dëshiron “ta zhdukë Ukrainën nga harta” dhe mund t’ua mësyjë pjesëve të tjera të Evropës pastaj.
Putini “po përpiqet ta prishë lirinë dhe mënyrën e jetesës sonë”, tha Rutte.
“A kemi nevojë edhe për më shumë paralajmërime të tjera a? Ne duhet të jemi thellësisht të shqetësuar. Unë e di që jam”, tha Rutte.
Rusia ka e ka sulmuar sistematikisht infrastrukturën civile dhe energjetike të Ukrainës që nga fillimi i luftës, duke i shpeshtuar sulmet veçanërisht në fillimin e sezonit të ftohtë, duke shkaktuar vështirësi maksimale dhe ndërprerje të gjata të energjisë për ukrainasit për dimrin e tretë me radhë.
Sipas Ministrisë së Energjisë së Ukrainës, Rusia ka kryer më shumë se 1.000 sulme ndaj objekteve të infrastrukturës energjetike të Ukrainës që nga tetori 2022.
Rrjeti energjetik i Ukrainës është sulmuar tashmë 11 herë nga Rusia këtë vit.