Ndërlidhjet

Rusia kryen sulm të madh me dronë dhe raketa në disa rajone ukrainase


Zjarrfikësit duke punuar në një objekt të shkatërruar pas një sulmi raketor rus në rajonin e Kievit, 8 maj 2024.
Zjarrfikësit duke punuar në një objekt të shkatërruar pas një sulmi raketor rus në rajonin e Kievit, 8 maj 2024.

Zyrtarët ukrainas thanë mëngjesin e së mërkurës se ushtria ruse e ka goditur infrastrukturën e rëndësishme ukrainase në së paku gjashtë rajone gjatë një sulmi të madh gjatë natës.

Rusia i lëshoi më shumë se 20 dronë dhe raketa gjatë sulmit, sipas zyrtarëve. Sirenat për paralajmërimin e sulmeve ajrore u dëgjuan për disa orë në këto rajone, përfshirë në kryeqytetin Kiev.

Ata raportuan për dëme dhe shkatërrim të disa ndërtesave, por deri tani nuk raportohet për viktima.

Ministri i Energjisë i Ukrainës, Herman Halushchenko, e cilësoi këtë si “një tjetër sulm i madh në industrinë tonë të energjisë” që u krye ndaj gjashtë rajoneve.

Ai tha se cak i sulmit ishte infrastruktura energjetike në rajonet Poltava, Kirovohrad, Zaporizhja, Lviv, Ivano-Frankivsk dhe Vinitsia.

Kryetari i administratës ushtarake në Poltava, Filip Pronin, tha se një zjarr u ndez si pasojë e një sulmi me dronë ndaj një objekti energjetik në këtë rajon.

Kryetari i administratës ushtarake në rajonin jugor, Zaporizhja, ku ndodhet termocentrali bërthamor më i madh në Evropë, tha se cak i bombardimeve ruse ishin “objektet e infrastrukturës civile dhe jetike”.

Në Lviv, në perëndim të Ukrainës, guvernatori tha se Rusia kreu sulm ndaj infrastrukturës jetike energjetike në qarkun Strihi dhe kundër një termocentrali në qarkun Çervonohrad.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha në Telegram se Rusia kreu sulme me së paku 50 raketa dhe 20 dronë.

Ai shtoi se sulmet ndodhën në Ditën e Përkujtimit dhe të Pajtimit, të cilën Kombet e Bashkuara e shpallën për nder të atyre që humbën jetën në Luftën e Dytë Botërore.

“E gjitha bota duhet ta kuptojë qartazi se kush është kush”, shkroi Zelensky. Ai e barazoi agresionin rus kundër vendit të tij me veprimet e Gjermanisë naziste që nxitën atë luftë.

Rusia e ka sulmuar pareshtur infrastrukturën energjetike të Ukrainës prej se e nisi pushtimin e plotë të saj në shkurt 2022.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG