Ndërlidhjet

Ukraina: Rusia po dërgon përforcime në Herson


Ushtarët ukrainas në jug të Ukrainës. 8 tetor 2022.
Ushtarët ukrainas në jug të Ukrainës. 8 tetor 2022.

Ushtria ukrainase tha se Rusia po grumbullon trupa në anën e djathtë të bregut të Lumit Dnjepër, teksa të dyja palët po bëhen gati për atë që mund të jetë beteja kyçe për qytetin jugor ukrainas të Hersonit.

Shtabi i Përgjithshëm i forcave të armatosura ukrainase tha më 28 tetor se Moska ka dërguar deri në 1.000 ushtarë shtesë – që i ka mobilizuar së fundi – për të mbushur radhët pas humbjeve të pësuara nga kundërofensiva ukrainase në rajonin e Hersonit.

“Komanda e forcave pushtuese ruse, në mënyrë që të shmangë panikun në mesin e personelit të saj, po tenton me të gjitha mënyrat që të fshehë humbjet në mesin e ushtarëve të saj... Ka një forcim të grupeve të armikut në anën e djathtë të bregut të lumit në territorin e pushtuar përkohësisht të rajonit të Hersonit me mobilizimin e deri 1.000 ushtarëve”, tha Shtabi i Përgjithshëm përmes një deklarate.

Në deklaratë u tha se civilët po vazhdojnë të zhvendosen nga qyteti i Hersonit nga ana e djathtë e bregut të lumit, në atë të majtë.

Ukraina ka vazhduar ofensivën e saj për rimarrjen e rajonit të Hersonit dhe kryeqytetit rajonal me po të njëjtin emër, që forcat ruse pushtuan në ditët e para të luftës, që Moska nisi më 24 shkurt.

Forcat ukrainase kanë rrethuar Hersonin nga perëndimi dhe po sulmojnë forcat ruse që gjenden në anën e djathtë të bregut të Lumit Dnjepër.

Megjithatë, zyrtarët thanë se moti i keq dhe terreni i vështirë kanë ngadalësuar përparimin e ushtrisë ukrainase në Herson.

Hersoni, që është një prej katër provincave të pushtuara pjesërisht që Rusia pretendon se i ka aneksuar, është rruga e vetme tokësore që çon drejt Gadishullit të Krimesë të cilin Rusia e aneksoi paligjshëm më 2014.

Zyrtarët e instaluar nga Rusia në Herson thanë më 27 tetor se mbi 70.000 persona janë larguar nga qyteti, përfshirë anëtarë të administratës rajonale të instaluar nga Moska.

Ushtria ukrainase tha më 28 tetor se gjatë 24 orëve të fundit ka vrarë 44 ushtarë rusë, duke shtuar se forcat ukrainase kanë shkatërruar një depo municionesh dhe një hangar ku ishin të vendosura pajisje ushtarake.

Ky pretendim i Kievit nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Megjithatë, lideri çeçen, Ramzan Kadyrov, që është aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, tha se 23 ushtarë të tij janë vrarë dhe 58 të tjerë janë plagosur nga sulmet ukrainase gjatë kësaj jave në Herson. Këto lloje deklaratash janë të pazakonshme, pasi forcat pro-ruse rrallë pranojnë humbjet e tyre në fushëbetejë.

Ndërkaq, në rajonin lindor të Donjeckut, forcat ruse kanë vrarë katër civilë, tha më 28 tetor Pavlo Kyrylenko, kreu i administratës ushtarake të këtij rajoni.

Sulmet ajrore ruse, ato me dronë dhe granatimet ndaj infrastrukturës së energjisë ukrainase kanë vazhduar, thanë zyrtarët, duke raportuar se si pasojë e sulmeve, furnizimet me energji në Kiev dhe në qytetet tjera janë ndërprerë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG