Ndërlidhjet

Rusia sulmon disa rajone në Ukrainë, ndërsa Moska thotë se zmbrapsi sulmet me dronë


Vendi ku thuhet se ra një dron ukrainas në Krasnogorsk, pranë Moskës, më 22 gusht 2023.
Vendi ku thuhet se ra një dron ukrainas në Krasnogorsk, pranë Moskës, më 22 gusht 2023.

Zyrtarët ukrainas raportuan më 22 gusht sulme me dronë dhe raketa ruse në Zaporizhja, Kryviy Rih dhe Kupjansk. Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se kishte zmbrapsur sulmet me dronë në rajonet e Moskës dhe Bryanskut, si dhe mbylli përkohësisht tre aeroporte në kryeqytet.

Një person u plagos dhe 20 ndërtesa u dëmtuan pas një sulmi rus me raketa gjatë natës në Kryviy Rih, në rajonin e Dnipropetrovsk, tha guvernatori Serhiy Lysak në platformën Telegram.

Rusia e sulmoi edhe Zaporizhjan gjatë natës, duke shkaktuar dëme, por pa viktima, njoftoi sekretari i Këshillit Komunal të Zaporizhjas, Anatoliy Kurtev, në orët e hershme të mëngjesit më 22 gusht.

“Brenda natës, armiku sulmoi sërish Zaporizhjën. Si pasojë e valës së shpërthimit, katër ndërtesa të larta pësuan dëmtime”, shkroi Kurtev në Telegram.

Trupat ruse bombarduan Kupjanskun dhe Vovçanskun në rajonin lindor të Harkivit gjatë natës, tha më 22 gusht guvernatori i rajonit, Oleh Synyehubov.

“Katër ndërtesa banimi janë dëmtuar dhe shkatërruar”, tha Synyehubov në Telegram, duke shtuar se një grua ishte plagosur lehtë.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha herët më 22 gusht se katër drone u rrëzuan gjatë natës – dy mbi rajonin e Moskës dhe dy mbi rajonin e Bryanskut, rreth 400 kilometra në jugperëndim të Moskës.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS, raportoi se tre aeroporte të Moskës – Vnukovo, Domodedovo dhe Sheremetyevo – pezulluan përkohësisht fluturimet, pa dhënë ndonjë arsye për pezullimin.

Aeroportet e Moskës kanë pezulluar fluturimet disa herë gjatë ditëve të fundit për shkak të atyre që autoritetet thanë se ishin sulme ukrainase me dronë.

Ministria ruse tha gjithashtu se një avion luftarak rus e shkatërroi atë që e quajti një “anije zbulimi ukrainase” që po lundronte në afërsi të objekteve të prodhimit të gazit rus në Detin e Zi. Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur ta verifikojë këtë pretendim në mënyrë të pavarur.

Në fushëbetejë, luftimet e ashpra kanë vazhduar në lindje dhe jug të Ukrainës. Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Ukrainës raportoi se një kundërsulm rus ishte zmbrapsur në Bahmut, qytet në rajonin lindor të Donjeckut kur luftimet vazhduan për disa muaj para se të binte në duart e forcave ruse në maj.

Forcat ukrainase vazhduan operacionet e tyre sulmuese në zonën e Melitopolit në jug, tha ushtria në raportin e saj të përditshëm më 22 gusht.

Gjatë 24 orëve të fundit, trupat ukrainase zhvilluan 30 beteja luftarake përgjatë vijës së frontit, thuhet në këtë raport.

Më 21 gusht, zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar, tha se luftime intensive ishin duke u zhvilluar në rajonin e Zaporizhjas, ku ajo tha se kishte “sukses”.

Sukseset u raportuan më 21 gusht në afërsi të fshatit Robotyne, që ndodhet përgjatë një rruge të rëndësishme që çon nga qyteti i Orihivit në Tokmak drejt vendit strategjik Melitopol.

Malyar shkroi në Telegram se trupat ukrainase, të cilat në ditët e fundit thuhet se bënë një përparim pranë Robotyne, “patën sukses në drejtimin juglindor të Robotynes dhe në jug të Malaya Tokmachkas”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG