Ndërlidhjet

Seuli: Rusia e ka furnizuar Korenë e Veriut me raketa kundërajrore, në këmbim të ushtarëve


Presidenti rus Vladimir Putin (majtas), dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë një ceremonie të nënshkrimit të partneritetit të ri në Phenian, Koreja e Veriut, më 19 qershor 2024.
Presidenti rus Vladimir Putin (majtas), dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë një ceremonie të nënshkrimit të partneritetit të ri në Phenian, Koreja e Veriut, më 19 qershor 2024.

Rusia e ka furnizuar Korenë e Veriut me raketa kundërajrore në këmbim të marrjes së mijëra trupave koreanoveriore, tha të premten një zyrtar i lartë i Koresë së Jugut.

Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe vende të tjera thonë se Koreja e Veriut ia ka dërguar më shumë se 10.000 trupa Rusisë, për ta ndihmuar në luftën kundër Ukrainës.

Se çfarë do t’i jepte Rusia Koresë së Veriut në këmbim ka qenë qendër të vëmendjes.

Drejtori për Siguri Kombëtare i Koresë së Jugut, Shin Wonsik, tha për televizionin SBS të premten se Seuli ka gjetur se Rusia i ka dhënë raketa kundërajrore dhe pajisje të tjera Phenianit, për ta ndihmuar ta përforcojë rrjetin e mbrojtjes ajrore.

Shin thotë se Rusia i ka dhënë edhe mbështetje të shumëllojshme ekonomike Koresë së Veriut.

Seuli dhe Uashingtoni kanë shprehur shqetësimin e tyre se Rusia mund t’i dërgojë Koresë së Veriut teknologji të ndjeshme bërthamore dhe raketore.

Agjencia e Inteligjencës e Koresë së Jugut njoftoi ligjvënësit të mërkurën se Koreja e Veriut i ka dërguar Rusisë së voni sisteme shtesë artilerie. Muajin e kaluar, Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës tha se Koreja e Veriut i ka dërguar më shumë se 13.000 kontejnerë me artileri, raketa dhe armë të tjera konvencionale në Rusi prej gushtit të vitit 2023, për t’i ndihmuar Moskës t’i plotësojë rezervat e armatimit gjithnjë e më të pakësuar.

Në fillim të kësaj jave, Koreja e Veriut dhe Rusia arritën një marrëveshje të re për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik pas bisedimeve të nivelit të lartë në Phenian, sipas mediave shtetërore të të dyja vendeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG