Rusia është duke i vazhduar luftimet në qytetin lindor të Ukrainës, Bahmut, pavarësisht humbjeve të mëdha, ka thënë ushtria ukrainase, më 21 prill.
Mbrojtja ajrore ukrainase, ka thënë se në natën e kaluar i ka identifikuar dhe rrëzuar tetë dronë iranianë Shahed, mbi territorin e Kievit.
“Pas 25 ditëve qetësi, kryeqyteti i Ukrainës është përballur me sulme të reja nga armiku… rreth tetë dronë të armikut janë identifikuar dhe rrëzuar”, ka thënë Serhiy Popko, udhëheqës i administratës ushtarake të Kievit, në Telegram, duke shtuar se sipas të dhënave fillestare, nuk është raportuar për dëme.
Në rajonin lindor Poltava, autoritetet ukrainase kanë thënë se sulmet me dronë kanë dëmtuar infrastrukturën civile.
“Ka shkatërrim të infrastrukturës civile. Ekipet e shpëtimit janë duke punuar për ta kontrolluar zjarrin. Momentalisht nuk ka viktima”, ka thënë Lunin.
Në rajonin lindor të Donjeckut, luftimet janë duke vazhduar në frontin Bahmut – Avdivka dhe Marianaka.
Ushtria ruse nuk ka arritur tash e sa muaj të kontrollojë qytetet e kësaj zone, pavarësisht luftimeve të ashpra, ka thënë Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, në përditësimin e saj të fundit.
“Armiku, pavarësisht humbjeve të mëdha, vazhdon të koncentrojë të gjitha burimet në ofensivat në Liman, Bahmut, Avdivka dhe Marianka”, ka thënë ushtria ukrainase, duke shtuar se përleshjet më të ashpra janë duke u regjistruar në Bahmut.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara do të jenë nikoqire të Grupit të Kontaktit për Mbrojtje të Ukrainës, që përbëhet prej 50 shteteve.
Ceremonia do të mbahet të premten në bazën amerikane Ramstein, në Gjermani.
Aleatët pritet të diskutojnë për dhënie të më shumë armëve për Kievin.
Në takim do të marrë pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili më 20 prill e ka vizituar Kievin, për herë të parë prej nisjes së luftës.
Ai u ka thënë ukrainasve se e ardhmja e shtetit të tyre është në aleancën veri-atlantike.
Stoltenberg e ka rikonfirmuar qëndrimin e aleancës për të ardhmen e Ukrainës në NATO, mirëpo nuk ka përmendur afate kohore se kur mund të ndodhë diçka e tillë.
Stoltenerg e ka përsëritur se 31 vendet anëtare të bllokut, do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për Ukrainën, teksa ajo lufton agresionin rus.
“Më lejoni të jem i qartë, vendi i Ukrainës është në familjen euro-atlantike. Vendi i Ukrainës është në NATO. Me kalimin e kohës, mbështetja jonë do të jetë ndihmesë në realizimin e këtij synimi”, ka thënë Stoltenberg në Kiev.
“NATO është me ju, sot, nesër, sado që të ketë nevojë”, ka thënë Stolteneberg, duke shtuar se aleanca ka trajnuar dhjetëra mijëra ushtarë ukrainas, dhe ka ndarë 65 miliardë euro vetëm për ndihma ushtarake.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka thënë Stoltenbergut se “është koha” që aleanca të nisë ftesën për anëtarësimin e këtij shteti.
“Nuk ekziston asnjë barrierë objektive ndaj vendimit politik për ta ftuar Ukrainën që t’i bashkohet aleancës”, ka thënë Zelensky në një konferencë për media me Stoltenbergun, duke shtuar se ‘është koha për marrjen e vendimeve”.
Zelensky, po ashtu, i ka bërë thirrje Stoltenbergut që të ndihmojë në tejkalimin e hezitimit që kanë disa shtete, për të dërguar armë me rreze të gjatë në Ukrainë.
Lufta e Rusisë në Ukrainë, ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.