Ndërlidhjet

Rusia i dëbon gjashtë diplomatë britanikë


Selia e Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) në qendër të Moskës.
Selia e Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) në qendër të Moskës.

Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) i ka akuzuar gjashtë diplomatë britanikë për spiunazh dhe ka thënë se ka vendosur t’ua heqë atyre akreditimin.

Televizioni shtetëror rus e citoi një zyrtar të FSB-së të ketë thënë se ata do të dëbohen.

FSB-ja pretendon se mori dokumente që tregojnë se ata ishin dërguar në Rusi nga një divizion i Ministrisë së Jashtme britanike dhe se “detyra kryesore e tyre është shkaktimi i një disfate strategjike ndaj vendit tonë”.

Sipas FSB-së, ata ishin përfshirë “në grumbullimin e të dhënave dhe në aktivitete armiqësore”.

Britania i quajti akuzat "plotësisht të pabaza".

Ajo tha se dëbimi i tyre ndodhi javë më parë, duke e lidhur atë me një vendim të Britanisë në maj për t'ia hequr kredencialet një atasheu në Ambasadën e Rusisë në Londër, dhe për të vendosur kufizim kohor pesëvjeçar për të gjithë diplomatët rusë në Britani.

FSB-ja tha se Rusia do t'iu kërkojë diplomatëve të tjerë britanikë të largohen më herët, nëse zbulon se janë të përfshirë në aktivitete të ngjashme.

Ky vendim u mor vetëm dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Britania u zotuan se do ta ndihmojnë Ukrainën me 1.5 miliard dollarë shtesë, dhe pasi zyrtarët ukrainas i vazhduan kërkesat ndaj Perëndimit për përdorimin e raketave perëndimore për sulme thellë brenda Rusisë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, u citua nga agjencia shtetërore e lajmeve TASS të ketë thënë se aktivitetet e Ambasadës britanike në Moskë kanë "tejkaluar kufijtë" e konventës diplomatike, duke e akuzuar atë për aktivitete me qëllim për ta dëmtuar popullin rus.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG