Ndërlidhjet

Moska akuzon Ukrainën për "terrorizëm" pas arrestimit të një të dyshuari uzbek për vrasjen e gjeneralit

E përditësuar

Hetuesit pranë një trupi të pajetë në vendin ku u vranë gjenerali Igor Kirillov dhe asistenti i tij, në Moskë, më 17 dhjetor 2024.
Hetuesit pranë një trupi të pajetë në vendin ku u vranë gjenerali Igor Kirillov dhe asistenti i tij, në Moskë, më 17 dhjetor 2024.

Rusia akuzoi Kievin për "terrorizëm" pasi autoritetet thanë se kishin arrestuar një shtetas uzbek, i cili pranoi se me urdhër të inteligjencës ukrainase kishte vendosur një mjet shpërthyes që vrau gjeneralin rus, Igor Kirillov, në Moskë, një ditë më parë.

Kirillov, i cili ishte shef i Trupave për Mbrojtje Bërthamore, Biologjike dhe Kimike të Rusisë, u vra para banesës së tij, bashkë me asistentin e tij, pas shpërthimit të një bombe të fshehur në një skuter elektrik.

Ndonëse asnjë individ apo grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për vrasjen, një burim brenda shërbimit të inteligjencës i Ukrainës, SBU - agjenci që ka akuzuar Kirillovin se ka qenë përgjegjës për përdorimin e armëve kimike kundër trupave ukrainase, diçka që Moska e mohon - ka thënë për Radion Evropa e Lirë se shpërthimi ka qenë rezultat i një operacion special të SBU-së.

Komiteti Hetues i Rusisë, i cili heton krime serioze, ka thënë përmes një komunikate, të mërkurën, se i dyshuari i paidentifikuar u kishte thënë, gjatë marrjes në pyetje, se kishte ardhur në Moskë, ku kishte marrë një pajisje të improvizuar shpërthyese për të kryer vrasjen.

Deklarata e autoriteteve ruse ka thënë se ai ka përshkruar se si e kishte vendosur mjetin shpërthyes në një skuter elektrik, të cilin e kishte parkuar para hyrjes së ndërtesës së banimit, ku Kirillov jetonte.

Hetuesit e kanë cituar atë të ketë thënë se ai kishte vendosur një kamerë monitoruese në një veturë të marrë me qira aty afër, dhe se organizatorët e vrasjes, që ai thuhet të ketë thënë se janë nga qyteti ukrainas i Dnipros, kishin përdorur kamerën për të gjurmuar Kirillovin dhe e kishin aktivizuar bombën na largësia, pas daljes së tij nga banesa.

Sipas deklaratës së hetuesve rusë, të dyshuarit, i lindur më 1995, i ishin ofruar 100.000 dollarë për rolin e tij në vrasjen e gjeneralit, si dhe banim në një vend evropian.

Hetuesit rusë kanë thënë se janë duke identifikuar njerëz të tjerë të përfshirë në vrasje, ndërsa e përditshmja Kommersant ka raportuar se është arrestuar edhe një i dyshuar tjetër.

Ky pohim nuk ka qenë i mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Kirillov, 54 vjeç, është oficeri më i lartë ushtarak rus që është vrarë në atë duket të jetë atentat që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

Vdekja e tij ndodhi një ditë pasi SBU-ja raportoi se prokurorët ukrainas kishin ngritur akuzë kundër tij për përgjegjësi në përdorimin e armëve kimike kundër trupave ukrainase gjatë luftës së nisur nga pushtimi i paprovokuar i Rusisë në Ukrainë.

SBU-ja ka deklaruar se forcat ruse kanë përdorur armë kimike pothuajse 5.000 herë gjatë luftës në Ukrainë nën drejtimin e Kirillovit. Ky pretendim nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.

Ish-presidenti Dmitry Medvedev, tani një zyrtar i lartë i sigurisë ruse, tha në një takim të transmetuar në televizionin shtetëror se pas sulmit janë NATO-ja dhe aleatët perëndimorë të Ukrainës, për shkak të mbështetjes për Kievin gjatë pushtimit të plotë të fqinjit nga Moska.

"Këta individë mund dhe duhet të konsiderohen një objektiv i ligjshëm ushtarak", tha Medvedev.

Zyrtarët e NATO-s nuk i kanë komentuar publikisht deklaratat e Medvedevit.

Analisti i sigurisë, Yuri Fedorov, i tha Current Time se ai pret që Rusia "me siguri do të përpiqet të hakmerret, kështu që është shumë e mundur që të ketë përpjekje nga agjentët rusë për të vrarë oficerë të lartë të ushtrisë ukrainase dhe/ose të shërbimeve të sigurisë".

"Sulmet ndaj gjeneralëve rusë mund të kenë një efekt politik dhe psikologjik, por nuk mund t’i pengojnë seriozisht përpjekjet ushtarake të Rusisë: persona si gjenerali Kirillov nuk janë figura të pazëvendësueshme ".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG