Britania e Madhe ka njoftuar për sanksione të reja kundër shumë rusëve, duke përfshirë anëtarët e familjeve të oligarkëve rusë dhe gruan e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, si dhe liderët e dy rajoneve separatiste në Ukrainë.
Gjithsej 206 individë rusë, duke përfshirë 178 “separatistë”, gjashtë oligarkë, bashkëpunëtorë dhe punonjës dhe 22 individë të tjerë u futën në listën e sanksioneve përmes një “procedure urgjente”, tha Ministria e Jashtme britanike më 13 prill.
Lista përfshinte Aleksandr Ananchenko dhe Sergei Kozlov, të cilët zyra i përshkroi si “të vetëquajtur kryeministër dhe kryetar i Qeverisë së të ashtuquajturve Republika Popullore e Donjeckut dhe Luhanskut” – territore të Ukrainës të njohura nga Rusia si të pavarura dhe të kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Moska.
Sanksionet u zgjeruan, gjithashtu, edhe për biznesmenët rusë, Pavel Ezubov, një kushëri i miliarderit rus Oleg Deripaska dhe Nigina Zairova, asistente ekzekutive e bankierit Mikhail Fridman.
Asetet iu ngrinë edhe bashkëshortes së ministrit të Jashtëm rus, Maria Lavrova.
“Pas sulmeve të tmerrshme me raketa ndaj civilëve në Ukrainën Lindore, ne sot po i sanksionojmë ata që mbështesin rajonet ilegale të shkëputura dhe janë bashkëpunëtorë në mizoritë kundër popullit ukrainas”, tha sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss.
Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Bashkimi Evropian dhe shumë nga aleatët e tyre kanë vendosur sanksione ndaj Moskës, prej kur ajo nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Derisa provat e mizorive po shtohen, sanksionet janë forcuar dhe zgjeruar për ta shtyrë Rusinë drejt tryezës së negociatave.
Ministria e Jashtme britanike tha në deklaratën e saj se sanksionet e vendosura ndaj Rusisë “kanë pasoja të thella dhe të dëmshme në aftësinë e Putinit për të bërë luftë”, duke shtuar Rusia po shkon drejt recesionit të saj më të thellë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.