Ndërlidhjet

Zelensky: Ushtria ruse kreu krime lufte në Herson


Zona e aeroportit në Herson. Nëntor, 2022.
Zona e aeroportit në Herson. Nëntor, 2022.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se hetuesit zbuluan qindra krime lufte në rajonin juglindor të Hersonit, i cili u çlirua nga forcat ruse, javën e kaluar.

“Hetuesit kanë dokumentuar tashmë më shumë se 400 krime lufte nga Rusia. Janë gjetur trupa civilësh dhe ushtarësh të vrarë”, tha Zelensky në një video-adresim.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i konfirmojë në mënyrë të pavarur këto pretendime, ndërsa Rusia vazhdimisht mohon se trupat e saj godasin qëllimisht zonat civile.

Zelensky tha se autoritetet e Ukrainës do të gjejnë dhe do të nxjerrin para drejtësisë “çdo vrasës”.

“Në rajonin e Hersonit, ushtria ruse ka lënë pas të njëjtat mizori sikurse në rajonet e tjera të vendit tonë, ku ka mundur të hyjë”, tha ai.

Që nga fillimi i luftës, në fund të shkurtit, varreza masive janë gjetur në disa zona të Ukrainës, përfshirë: Buçën, Izjumin dhe Mariupolin. Ukraina ka akuzuar trupat ruse për mizoritë e kryera.

Muajin e kaluar, një komision i Kombeve të Bashkuara ka thënë se në Ukrainë janë kryer krime lufte dhe se forcat ruse janë përgjegjëse për “shumicën dërrmuese” të shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Zelensky, po ashtu, tha se në 226 vendbanime të rajonit të Hersonit është rivendosur ligji dhe se arrestimet e ushtarëve dhe mercenarëve rusë janë duke vazhduar.

Presidenti ukrainas e përshkroi çlirimin e Hersonit si ngjarje historike.

“Mbrojtësit tanë janë në periferi të qytetit dhe njësitë speciale janë tashmë në qytet”, tha ai.

Zelensky tha se beteja të mëdha po zhvillohen tani në rajonin lindor të Ukrainës, Donjeck.

Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, tha se forcat e saj kanë pushtuar fshatin Majorsk, afër qytetit Horlivka në Donjeck.

Shtabi i përgjithshëm i Ukrainës, në anën tjetër, tha se forcat e tij kanë neutralizuar rreth 650 trupa ruse.

Raportet e asnjërës palë nuk kanë mundur të konfirmohen nga Radio Evropa e Lirë, për shkak të luftimeve intensive në terren.

Shtëpia e Bardhë e cilësoi tërheqjen e ushtrisë ruse nga Hersoni si një “fitore të jashtëzakonshme” për Ukrainën.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha se “dështimi strategjik” i Moskës në Herson do t’i rrisë dyshimet te publiku rus për luftën në Ukrainë.

Autoritetet ukrainase thanë se synojnë ta “stabilizojnë” zonën së shpejti, duke siguruar ujin, energjinë elektrike dhe nevojat tjera themelore.

Hersoni ka rënë nën kontrollin e ushtrisë ruse shumë shpejt pasi ajo ka nisur pushtimin e Ukrainës, në fund të shkurtit.

Zelensky tha se forcat ruse, kudo, kanë të njëjtin qëllim: “T’i poshtërojnë njerëzit sa më shumë që është e mundur”.

“Por, ne do të rikthejmë gjithçka, më besoni”, tha ai.

“Përpara se të largoheshin nga Hersoni, pushtuesit shkatërruan gjithë infrastrukturën kritike: komunikimet, ujin, ngrohjen, energjinë elektrike”, tha Zelensky.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dhënë urdhër për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.

I fiksuar pas Ukrainës: Si erdhi deri te pushtimi?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:57 0:00

Shifra të sakta për të vrarët nuk ka, por besohet se ato janë qindra mijëra.

Sipas Kombeve të Bashkuara, mbi 7 milionë njerëz janë zhvendosur jashtë Ukrainës, ndërsa miliona të tjerë brendapërbrenda.

Perëndimi ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka ndërmarrë një varg sanksionesh, politike dhe ekonomike, kundër Rusisë. Ukrainën, në anën tjetër, është duke e ndihmuar me armatim.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG