Ndërlidhjet

Erdogan i kërkon Putinit të shpallë armëpushimin në Ukrainë


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë takimit me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, më 2018.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë takimit me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, më 2018.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka kërkuar homologut të tij rus, Vladimir Putin, që të shpallë armëpushim në Ukrainë, të hapë korridoret humanitare dhe të nënshkruajë një marrëveshje paqeje, ka njoftuar zyra e presidentit turk.

Pas një telefonate njëorëshe, presidenca turke përmes një deklarate njoftoi se Erdogan i tha Putinit se Turqia është e gatshme të kontribuojë në një zgjidhje paqësore të konfliktit.

Sipas deklaratës, Erdogan tha se një armëpushim do të lehtësonte situatën humanitare.

“Presidenti Erdogan filloi bisedën me fjalinë: “le të hapim rrugën për paqen së bashku”, thuhet në deklaratën për media.

“Erdogan theksoi rëndësinë e ndërmarrjes së hapave urgjente për arritjen e një armëpushimi, hapjen e korridoreve humanitare dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje paqeje”, thuhet më tej në deklaratë.

Të dy krerët e shteteve, diskutuan gjithashtu edhe për bashkëpunimin ndërmjet Rusisë dhe Turqisë.

Më herët, presidenti Erdogan, ka thënë se sulmi rus në Ukrainë “është i papranueshëm”, mirëpo shteti i tij nuk do t’i kthejë shpinën asnjërit shtet, pasi me të dyja vendet ka lidhje të forta.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG