Ndërlidhjet

Rusia zgjat paraburgimin për gazetaren e REL-it


Gazetarja e REL-it, Alsu Kurmasheva, gjatë paraqitjes në një gjykatë në Kazan më 20 tetor 2023.
Gazetarja e REL-it, Alsu Kurmasheva, gjatë paraqitjes në një gjykatë në Kazan më 20 tetor 2023.

Një gjykatë ruse ka pranuar kërkesën e prokurorëve për të zgjatur paraburgimin për gazetaren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, deri më 5 dhjetor. Ajo u arrestua javën e kaluar nën akuzën se ka dështuar të regjistrohet si agjente e huaj.

Gjykata e Qarkut në Sovetski të Kazanit më 23 tetor ka refuzuar kërkesën e avokatit të Kurmashevës për masa paragjyqësor që nuk përfshinin burgosjen.

Avokati i Kurmashevës, Edgar Matevosyan, i tha agjencisë Reuters se vendimi i gjykatësit Mars Ganeyev ishte "shumë i ashpër", duke shtuar se do ta apelojë.

“Ne jemi shumë të zhgënjyer me vendimin gjatë seancës gjyqësore”, tha ushtruesi i detyrës së presidentit të REL-it, Jeffrey Gedmin.

“Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm, në mënyrë që ajo të ribashkohet me familjen e saj”, shtoi ai.

Kurmasheva punon në selinë qendrore të REL-it në Pragë të Republikës Çeke në Shërbimin Tatar-Bashkir. Ajo ka dyshtetësi, atë amerikane dhe ruse. Ajo kishte udhëtuar për në Rusi në maj për shkak të një emergjence familjare.

Ajo ishte ndaluar përkohësisht më 2 qershor në aeroportin e Kazanit, ku ishte duke pritur që të kthehej në Pragë. Aty autoritetet ia konfiskuan të dy pasaportat. Që atëherë, ajo nuk ka mundur të largohet nga Rusia.

Më 11 tetor, autoritetet e gjobitën Kurmashevën me 103 dollarë për dështim të regjistrimit të pasaportës së saj amerikane tek autoritetet ruse.

Kurmasheva u arrestua sërish më 18 tetor nën akuzën se ka dështuar të regjistrohet si agjente e huaj. Sipas ligjeve ruse, për një akuzë të tillë ajo mund të dënohet deri me pesë vjet burgim.

Komiteti Hetues tha se Kurmasheva dyshohet se a dështuar “të përmbushë obligimet që dalin nga legjislacioni i Federatës Ruse që të dorëzojë tek autoritetet dokumentet e nevojshme për përfshirjen në regjistrin e agjentëve të huaj”.

Kremlini ka mohuar se Moska po kryen fushatë për të ndjekur qytetarët amerikanë, por nuk ka komentuar më shumë lidhur me arrestimin e Kurmashevës.

Kurmasheva është gazetarja e dytë amerikane që arrestohet në Rusi gjatë këtij viti, gjë që ka nxitur valë të kritikave nga grupet për të drejtat e njeriut dhe politikanët.

Rusia është akuzuar se përdorë amerikanët e arrestuar për t’i këmbyer me rusët e burgosur në Shtetet e Bashkuara.

Në mars të këtij viti, gazetari i Wall Street Journal, Evan Greshkovich, u arrestua nën dyshimet për spiunazh. Ai dhe gazeta ku punon kanë mohuar akuzat.

Që nga viti 2012, Rusia ka përdorur ato që quhen ligje për agjentë të huaj për të ndëshkuar kritikët e politikave qeveritare. Po ashtu, Moska ka shpeshtuar përdorimin e këtyre legjislacioneve për të mbyllur organizata të shoqërisë civile dhe media që kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës.

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve dhe kreu i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të Kurmashevës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG