Ndërlidhjet

Rusia ua ndalon hyrjen dhjetëra zyrtarëve të Moldavisë


Flamuri rus i vendosur në ndërtesën e Dumës shtetërore ruse, Dhomës së Ulët të Parlamentit rus. 14 korrik 2023.
Flamuri rus i vendosur në ndërtesën e Dumës shtetërore ruse, Dhomës së Ulët të Parlamentit rus. 14 korrik 2023.

Njëzet zyrtarëve moldavë u është ndaluar hyrja në Rusi, pas vendimit “jomiqësor” të Moldavisë për të përjashtuar 45 diplomatë rusë dhe punëtorë të Ambasadës ruse.

Ministria e Jashtme ruse njoftoi për këtë vendim më 18 gusht. Por, në komunikatë nuk u identifikuan zyrtarët moldavë të prekur nga ky vendim.

Shërbimi Moldav i Radios Evropa e Lirë raportoi se ndalesa do të aplikohet ndaj 20 zyrtarëve, përfshirë 18 ligjvënës nga Partia për Veprim dhe Solidaritet (PAS) e presidentes, Maia Sandu.

Dy zyrtarët e tjerë, sipas REL-it, janë zëvendësdrejtori i policisë kufitare, Oleg Bucataru, dhe drejtori i Asociacionit të Shtypit të Pavarur, Petru Macovei.

Ambasadori moldav në Rusi u thirr më 18 gusht në Ministrinë e Jashtme, ku iu dorëzua një notë proteste lidhur me atë që Moska e quan “vendim të pajustifikuar të Kishinievit që në mënyrë dramatike të ulë numrin e punëtorëve” në Ambasadën ruse.

Në njoftimin e MPJ-së ruse u tha se kufizimi i numrit të diplomatëve rusë në Moldavi është “hap jomiqësor” që çon në shkatërrimin e mëtejmë të raporteve mes Rusisë dhe Moldavisë “të cilat veçse janë në krizë të thellë”.

Ministri i Jashtëm i Moldavisë, Nicu Popescu, më 26 korrik urdhëroi që Ambasada ruse të reduktonte stafin në 25 nga 70 punëtorë deri më 15 gushtë. Të 45 rusët dhe familjet e tyre u larguan nga Moldavia më herët gjatë kësaj jave, para afatit të përcaktuar nga autoritetet moldave.

Popescu tha se vendimi do të rezultojë në më “pak individë që destabilizojnë shtetin tonë”.

Presidentja Sandu e ka drejtuar shtetin e saj drejt Perëndimit dhe vitin e kaluar Moldavia mori ftesë për të nisur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ajo po ashtu ka akuzuar Moskën se po tenton të destabilizojë Moldavinë dhe ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG