Ndërlidhjet

Gjermania: Rusia do të pranojë pagesat e gazit në euro


Valuta euro.
Valuta euro.

Rusia do të vazhdojë të lejojë shtetet evropiane që të paguajnë gazin rus me euro dhe jo rubla, siç ka kërcënuar së fundi, ka thënë Qeveria gjermane.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka thënë kancelarit gjerman, Olaf Scholz se pagesat nga Evropa, muajin e ardhshëm "do të vazhdojnë të kryhen në euro dhe do të transferohen si zakonisht në Bankën Gazprom, e cila nuk është e prekur nga sanksionet”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit.

Banka më pas do të konvertojë pagesat në rubla, ka thënë Putin, sipas Hebestreit.

“Scholz nuk është pajtuar për këtë procedurë në bisedë, mirëpo ka kërkuar informacion me shkrim për të kuptuar më mirë procesin”.

Rusia ka thënë më parë se shtetet “jomiqësore” do të duhet të paguajnë gazin rus në rubla nga 31 marsi.

Zëdhënësi gjerman ka shtuar se Scholz vazhdon të jetë i përkushtuar ndaj marrëveshjes së shtatë vendeve më të industrializuara se furnizimet ruse me energji duhet të paguhen vetëm në euro dhe dollarë amerikanë.

Gjermania merr rreth gjysmën e gazit të saj dhe një të tretën e naftës nga Rusia dhe ka paralajmëruar se mund të përballet me recesion nëse furnizimet ndalen papritur.

Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi kanë rritur presionin ekonomik ndaj Rusisë prej kur kjo e fundit ka nisur luftën në Ukrainë më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG