Ndërlidhjet

ZRRE-ja propozon shtrenjtimin e rrymës për rreth 15 për qind


Përçues të energjisë elektrike, ndërsa prapa shihet tymi nga termocentralet në Obiliq. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Përçues të energjisë elektrike, ndërsa prapa shihet tymi nga termocentralet në Obiliq. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë (ZRRE) njoftoi të premten se ka propozuar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind muajin e ardhshëm.

Rregullatori i energjisë tha në Facebook se, bazuar në rezultatet e raportit të tij konsultativ për të hyrat maksimale të lejuara, rritja mesatare e tarifave për konsumatorët pritet të tjerë 15 për qind dhe ftoi konsumatorët për konsultim publik.

Ajo tha se komentet dhe sugjerimet e tyre do t'i pranojë deri më 28 mars, para se bordi i saj të marrë vendim përfundimtar për shtrenjtimin e rrymës.

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Javë më parë, tri kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë i kërkuan rregullatorit të energjisë rritjen e çmimit të tarifave të rrymës.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOST], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave të rrymës për shkak të importit të energjisë elektrike.

Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind.

Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.

Në fillim të marsit, ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku, paralajmëroi për Radion Evropa e Lirë se rritja e çmimit të energjisë elektrike ishte e pashmangshme.

Në intervistën për REL-in, ai tha se për të zvogëluar sasinë e importit, Kosova duhet të rrisë prodhimin vendor, sidomos përmes energjisë alternative.

Kosova nuk arrin t’i plotësojë nevojat e mbi 1.6 milion banorëve të saj me rrymë, andaj edhe importon nga bursat e huaja.

Vendi ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate rrymë në orë, ndërsa nevojat e tij, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë.

Një nga arsyet për nënprodhim është vjetërsia me dekada e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B.

Aktualisht, mbi 20 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga burimet alternative, si: hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet me diell.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë më herët se synimi është që pas vitit 2031, 35 për qind e energjisë elektrike të gjenerohet nga këto burime.

Strategjia për Energji 2022-2031 e Kosovës përqendrohet tek investimet në energji të ripërtërishme, por një pjesë përfshin edhe Termocentralin Kosova A, përkatësisht investimet në së paku një njësi apo bllok të tij.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG