Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me punimet që po zhvillohen në rrugën Deçan - Plavë, e cila lidh Kosovën me Malin e Zi.
Reagimi i tij pasoi “denoncimin” e Kishës Ortodokse e cila pretendonte se punimet po zhvillohen në zonën e mbrojtur që i takon Manasitirit të Deçanit dhe solidarizimeve që kishin shprehur OSBE dhe disa diplomatë ndërkombëtar, duke kërkuar ndërprerjen e punimeve.
Haradinaj ka thënë se ekziston një keqinformim lidhur me këto punime.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka ftuar diplomatët që të shkojnë në vend të ngjarjes, të shohin situatën, dhe të binden se rruga që po renovohet ka ekzistuar edhe më parë, për t’iu shmangur kështu deklarimeve të ngutshme.
“Populli i Kosovës gjithmonë ka jetuar në harmoni me komunitetet pakicë, duke respektuar trashëgiminë religjioze dhe kulturore të të gjithëve pa dallim”, ka shkruar Haradinaj.
“Qeveria e Kosovës e ka për obligim riparimin dhe menaxhimin e rrugëve në tërë territorin e Kosovës”, ka vijuar ai.
Gjatë vikendit Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Kosovë, ka deklaruar se ka ndjekur me shqetësim, siç ëshët thënë, “atë që duket të jetë ndërtim i paligjshëm i rrugëve, që po vazhdon brenda Zonës së Veçantë të Mbrojtjes të Manastirit të Deçanit”
Deklaratën e OSBE-së e ka mbështetur edhe ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Greg Delawie dhe shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova.
Ndërprerjen e punimeve fillimisht e ka kërkuar përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, igumeni Sava Janjiq. Sipas tij, ndërtimi i kësaj rruge është i pa ligjshëm.
Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, kanë thënë se punimet në këtë rrugë janë duke vazhduar.
Rexhep Kadriu, zëvendësministër i Infrastrukturës ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se kjo rrugë ka ekzistuar me shekuj dhe si e tillë është duke u renovuar.
Kadriu, ka thënë se punimet në këtë rrugë janë krejtësisht ligjore.
Edhe Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka reaguar duke mohuar se punimet po zhvillohen brenda “zonës së mbrojtur” të Manastirit të Deçanit. Ai ka siguruar qytetarët e të gjitha komuniteteve se punimet do të kryhen pa e cenuar atë zone.
Ministri Lekaj, po ashtu u ka bërë thirrje të gjithë faktorëve vendor e ndërkombëtar, që të kontribuojnë që kjo temë humane të mos përkthehet në diçka tjetër, sepse krejt kjo po bëhet në shërbim të zhvillimit të komunitetit të atjeshëm dhe mundësisë së lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe bashkimit e jo ndarjes së tyre.
Fillimi punimeve të rrugës Deçan-Plavë, rrugë kjo që e lidhë rajonin e Dukagjinit me atë të Plavës dhe Gucisë, ka filluar në fund të muajit të kaluar. Ndërtimi i kësaj rruge pritet të përfundojë në vitin 2020. Shuma për këto punime kap një vlerë prej 12 milionë eurosh.