Ndërlidhjet

Me trendin e rritjes ekonomike, Kosova 60 vjet larg vendeve të BE-së


Ilustrim
Ilustrim

Vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, do t’iu duhen deri në gjashtë dekada, në mënyrë që nivelet e të ardhurave të kapin ato të Bashkimit Evropian, nëse trendi i rritjes ekonomike vazhdon me shpejtësinë mesatare të arritur ndërmjet viteve 1995 dhe 2015, thuhet në një raport të Bankës Botërore.

Sipas këtij raporti, të publikuar në Vjenë të Austrisë, thuhet se Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, duhet të përshpejtojnë me rritjen ekonomike dhe të arrijnë konvergjencë më të shpejtë të të ardhurave me vendet e Bashkimit Evropian.

Ndryshe, rritja ekonomike në Kosovë në vitin 2017, pritet të arrijë në 4.4 për qind, nga 3.4 për qind sa ishte vitin e kaluar.

Pavarësisht nivelit të rritjes ekonomike, ekspertë për çështje ekonomike në Prishtinë, disa herë kanë ngritur shqetësimin se norma mesatare e rritjes ekonomike në Kosovë është e pamjaftueshme dhe pa ndikim në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

Alban Hashani, drejtor ekzekutiv në Institutin “Riinvest”, thotë për Radion Evropa e Lirë se norma e rritjes ekonomike në Kosovë është më e madhja nga vendet e rajonit, por që ka bazën më të ulët nga kalkulohet rritja ekonomike.

Ai e vlerëson të saktë konstatimin në raportin e Bankës Botërore, ku thuhet se shteteve të Ballkanit Perëndimor u nevojiten 60 vjet për të arritur në nivel të rritjes ekonomike të shteteve të Bashkimit Evropian.

“Në rastin e Kosovës, kjo nënkupton se normat e rritjes që kanë dominuar në vitet e fundit, prej 3-4 për qind, duhet të dyfishohen në mënyrë që Kosova të përshpejtojë hapin me nivelin e Bashkimit Evropian”, thotë Hashani.

Ismail Kastrati, ish-kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se autoritetet kompetente duhet të krijojnë kushte të të bërit biznes, konkretisht për investime të huaja në mënyrë që të rritet niveli i rritjes ekonomike, rrjedhimisht edhe të ulet shkalla e papunësisë.

“Kosovës, si vendi pothuajse më i pazhvilluar në rajon, i nevojitet një rritje prej shtatë për qind, për të zënë hapin me vendet e rajonit, shtetet e zhvilluara dhe për të zvogëluar shkallën e papunësisë. Përndryshe, me 4 për qind ne nuk mund ta zvogëlojmë papunësinë, por faktikisht ne nuk mund ta punësojmë as gjeneratën, e cila për herë të parë troket në derë për punësim”, vlerëson Kastrati.

Ndërkaq, Alban Hashani, thotë se rritja ekonomike në Kosovë bazohet në rritje të konsumit dhe rritje të investimeve publike, por që këta dy indikatorë, sipas tij, nuk janë aq substancial që të ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve.

Edhe Hashani shprehet se institucionet kompetente duhet të krijojnë më shumë kushte në sektorin privat, në mënyrë që të dyfishohet norma e rritjes ekonomike.

“Duhet të ketë politika ekonomike drejt orientimit të investimeve të sektorit privat në industritë prodhuese, të cilat edhe mund të rrisin vlerën më të madhe dhe janë sektorë të tregtueshëm. Pra, mund të zbusin hendekun e dallimit në mes eksporteve dhe importeve”, shpjegon Hashani.

Edhe në Raportin e Bankës Botërore thuhet se duhet të rriten edhe investimet private në vendet ku sektori publik është ende nxitësi kryesor i ekonomisë. Nivelet e ulëta dhe me rritje të ulët të produktivitetit në Ballkanin Perëndimor, kërkojnë përmirësime në mjedisin e biznesit, të cilat mund të tërheqin investime private dhe të nxisin rritjen e ndërmarrjeve.

Ndryshe, sipas mekanizmave ndërkombëtarë dhe atyre vendorë, rritja ekonomike për vitin 2018 dhe 2019 në Kosovë, parashikohet të arrijë 4.8 për qind.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG