Disa qindra qytetarë protestuan të mërkurën para Kryeministrisë në Tiranë duke kundërshtuar rritjen e çmimit të naftës në Shqipëri.
Qytetarë, aktivistë e artistë u mblodhën në sheshin Dëshmorët e Kombit, duke kërkuar jetë më të mirë dhe duke thënë se me çmimet që janë sot, nuk do t’ia dalin të jetojnë një jetë normale.
Atyre iu bashkuan edhe fermerët e blegtorët të cilët thanë se përveç naftës, çmimet e plehrave kimike dhe inputeve bujqësore janë bërë të papërballueshme për ta.
“Ne rrogën para se ta marrim na shkon në shpenzime. Na mjeruan”, tha një qytetare.
“Ai [kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama] tha se do ta kalojmë krizën bashkë. Si bashkë? Krizën po e kalojmë ne qytetarët e thjesht”, tha një protestues tjetër.
Dhjetëra protestues, që ende po protestojnë, kanë bllokuar rrugët kyçe të Tiranës për të mos lejuar makinat të lëvizin, teksa kanë brohoritur “fike makinën”.
Forca të shtuara të policisë dolën në rrugë dhe krijuan kordonë në përpjekje për të liruar rrugët. Protesta deri tani po zhvillohet e qetë.
Çmimet e naftës në Shqipëri kanë shënuar rritje të hovshme brenda natës, duke arritur të mërkurën në nivel rekord prej 260 lekësh (2.03 euro) për litër nga 230 lekë për litër (1.80 euro) një ditë më herët.
Kjo rritje e çmimit është e katërta brenda javës në Shqipëri.
Në bazë të Institutit shqiptar të Statistikave, ky çmim shënon një rritje prej rreth 50 për qind nga mesatarja e çmimit të naftës për litër në treg gjatë vitit 2021.
Edhe Unioni i Transportit Publik ka lajmëruar se të mërkurën është përgjysmuar numri i autobusëve të trafikut urban që qarkullojnë në Tiranë për shkak të rritjes së çmimit të naftës. Përfaqësues të këtij institucioni thanë se do të propozojnë rritjen e çmimit të biletës nga 40lekë (31 centë) në 80 lekë (63 centë).
“E dini qe sot nuk më kanë ardhur në mësim studentë, për shkak të përgjysmimit të shërbimit urban? Kur ma thanë u drodha”, tha një profesor i pranishëm në protestë.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, mbështeti protestën e qytetarëve dhe kritikoi Qeverinë për mungesë të strategjisë për lehtësim dhe dalje nga kriza ekonomike.
Përmes një postimi në Facebook, ai i bëri thirrje Qeverisë të ndërhyjë urgjentisht për uljen e çmimit të karburanteve dhe për miratimin e një pakete ekonomike në ndihmë të familjeve në nevojë.
Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, më herët gjatë ditës arsyetoi pamundësinë e Qeverisë për të ndërhyrë në rritjen e çmimit të naftës, duke thënë se Qeveria po mbulon kostot e energjisë “për të mos ekspozuar abonentët familjarë dhe biznesin e vogël”.
“Këto janë kohë të vështira për këdo, por duhet vlerësuar angazhimi i Qeverisë për të mos lënë askënd vetëm. Do ia dalim ashtu si ia kemi dalë me çdo sfidë tjetër, por vetëm nëse mbështetemi te njëri-tjetri”, tha Balluku.
Deklaratës së Ballukut protestuesit iu përgjigjën duke thënë se “nuk jemi bashkë” sepse ata po i bartin pasojat ekonomike.
Në përpjekje për t’i adresuar sfidat ekonomike para Shqipërisë, të martën kryeministri shqiptar, Edi Rama, themeloi një komision ndërministror për të përgatitur veprimet e Qeverisë shqiptare në prag të një përshkallëzimi të gjendjes ekonomike.
Protesta e sotme u organizua në mënyrë vullnetare nëpër rrjete sociale nga aktivistë të ndryshëm. Ata u zotuan se do të vazhdojnë protestën çdo ditë deri kur kërkesat e tyre të plotësohen.
Tregu i destabilizuar i naftës është pasojë direkte e nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt. Lufta ka ndikuar në ngritjen e hovshme të kostos së produkteve bazë gjithandej Evropës.