Ndërlidhjet

Rritet për 246 për qind importi i vajit të palmës në Kosovë


Një zyrtar doganor kontrollon një makinë në pikëkalimin kufitar në Merdare, foto nga arkivi.
Një zyrtar doganor kontrollon një makinë në pikëkalimin kufitar në Merdare, foto nga arkivi.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka propozuar të nisen hetime për importin e vajit të palmës në Kosovë, pasi në 3 vjetët e fundit, importi i këtij produkti ka shënuar rritje të madhe.

Vëllimi i importit në kilogramë, nga viti 2015 deri në vitin 2018, është rritur për 246 për qind, thuhet në një dokument të MTI-së, të siguruar nga Radio Evropa e Lirë.

Përmes këtij dokumenti, MTI thotë se një import i tillë duhet të ndalet, pasi që një sasi kaq e madhe, përveç që mund të jetë i dëmshëm për shëndetin, dëmton seriozisht edhe prodhuesit vendorë të qumështit.

“Një trend i tillë i importit të këtij produkti është mjaft shqetësues për vendin, pasi që duke i krahasuar importuesit specifikë të këtij produkti, vërehet se pjesa më e madhe e tyre janë përpunues të qumështit. Edhe shifrat e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, flasin për një rënie drastike të bagëtive për ekonomitë familjare në pjesët rurale të vendit”, thuhet ndër të tjera në këtë dokument.

Zyrtarë të kësaj ministrie, nuk kanë dhënë asnjë koment lidhur me këtë kërkesë për hetimin e importit të vajit të palmës.

Prodhimi i qumështit ka rënë 30 për qind

Ky hetim i brendshëm ka përfunduar në fund të korrikut, pas kërkesës së Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit dhe Fermerëve të Qumështit të Kosovës. Dokumenti thotë se pas rritjes së importit të vajit të palmës, prodhimtaria vendore e qumështit ka pasur rënie për 30 për qind.

Të njëjtin shqetësim e ndajnë edhe fermerët e Kosovës. Besim Kuqi kryetar i Shoqatës së Fermerëve të Qumështit, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në vazhdimësi kanë kërkuar nga MTI që të ndërmarrin masa, por një gjë e tillë, asnjëherë nuk ka ndodhur.

“Dy vitet e fundit janë rreth 50 mijë krerë lopë qumështore që janë më pak dhe kjo ka bërë që të bie sasia e prodhimit të qumështit. Ne kemi bërë disa herë ankesa që të zvogëlohet importi i vajit të palmës, por përsëri po vazhdon ai avazi i vjetër. Nuk ka kurrfarë përmirësimi. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë na ka premtuar që do të bëjë diçka në këtë drejtim, por ato po mbesin vetëm fjalë mes takimeve”, thotë Kuqi.

Për gjashtë muaj 1.5 milionë litra vaj palme të importuara

Për tri vjet, nga viti 2015 deri në gjysmën e vitit 2018, janë importuar 6.7 milionë litra të vajit të palmës, që kanë vlerën mbi 5 milionë euro. Këto shifra, i ka konfirmuar Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se ky trend i rritjes ka vazhduar për disa vite.

“Viteve të fundit kemi pasur rreth 2.5 milionë kilogramë, përkthyer në litra është rreth 2.3 milionë litra brenda një viti import të vajit të palmës. Kurse sivjet kemi parë një rritje, për shkak se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, periudha janar-qershor e vitit 2018, kemi 1.5 milion import. Nëse vazhdojmë me këtë trend, ne do të arrimë deri në fund në rreth 3 milionë import, që krahasuar me vitin e kaluar që ka qenë 2.4 milionë, atëherë nënkupton që kemi një rritje rreth 25 për qind të sasisë së importuar”, thotë Stavileci.

Lamir Thaçi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), thotë për Radion Evropa e Lirë se sasia e vajit të palmës që importohet në Kosovë, në kufi i nënshtrohet një kontrolli fito-sanitar. Ai thotë se nuk kanë marrë ndonjë udhëzim nga organizatat ndërkombëtare, që të ndalohet përdorimi i vajit të palmës.

“Deri më tani nuk kemi pranuar asnjë lajmërim, apo njoftim, apo rregull ligjore nga ana e organizatave ndërkombëtare me të cilën kërkohet ndalimi i këtij produkti për përdorim. Vaji i palmës gjen përdorim pothuajse në të gjitha vendet e botës dhe gjen përdorim në një gamë të gjerë të produkteve ushqimore”, thotë Thaçi.

Ndërkaq, raporti i vitit 2016 i Autoritetit Evropian të Sigurisë Ushqimore (EFSA), thotë se përdorimi vajit të palmës në prodhimin e ushqimeve është i dëmshëm.

Parlamenti Evropian kishte nxjerrë një rezolutë përmes së cilës i kishte kërkuar Komisionit Evropian që të marrë masa për heqjen nga përdorimi të vajrave bimore që dëmtojnë edhe shpyllëzimin e pyjeve tropikale, duke përfshirë edhe vajin e palmës, mundësisht deri në vitin 2020.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG