Ndërlidhjet

Armëpushim ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve në Gaza


Dhuna në Gaza në prill të vitit 2022. Fotografi nga arkivi.
Dhuna në Gaza në prill të vitit 2022. Fotografi nga arkivi.

Një marrëveshje armëpushimi është respektuar gjatë natës midis Izraelit dhe militantëve palestinezë. Armëpushimi u arrit pas tre ditësh të dhunës.

Egjipti ndërmjetësoi armëpushimin që hyri në fuqi të dielën mbrëma. Të paktën 44 persona vdiqën në dhunën e fundit.

Liderët e Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara u bënë thirrje palëve që të vazhdojnë ta respektojnë armëpushimin.

Presidenti amerikan, Joe Biden, u bëri thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë armëpushimin “dhe të sigurohen që furnizimet humanitare dhe të karburanteve të mund të dërgohen në Gaza”.

Ai, po ashtu, kërkoi që të hetohen rastet e vdekjeve të civilëve.

Ushtria izraelite më 7 gusht konfirmoi se po sulmonte caqet e Xhihadit Islamik Palestinez në Gaza, pak para hyrjes në fuqi të armëpushimit. Izraeli tha se sulmet ishin në kundërpërgjigje të raketave të hedhura nga Gaza. Mediat izraelite po ashtu raportuan se janë hedhur disa raketa pak pas afatit për hyrjen në fuqi të armëpushimit. Por, raste të tjera të dhunës nuk janë raportuar gjatë natës.

Dhuna e fundit nisi me sulmet izraelite në Rripin e Gazës, pasi ushtria izraelite tha se po kundërpërgjigjej ndaj kërcënimeve të grupit militant. Në ditët pasuese tensionet u rritën dhe Izraeli arrestoi një anëtar të lartë të Xhihadit Islamik Palestinez në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Të dielën mbrëma, Ministria palestineze e Shëndetësisë raportoi se 15 fëmijë janë në mesin e 44 viktimave të regjistruara në dhunën e fundit. Pala palestineze fajësoi “agresionin izraelit” për këto vdekje. Po ashtu, kjo ministri raportoi për më shumë se 300 të plagosur.

Izraeli ka fajësuar militantët e Xhihadit Islamik Palestinez për disa nga vdekjet që kanë ndodhur së fundmi brenda Gazës. Ushtria izraelite të dielën fajësoi këtë grup për sulmet me raketa që kanë vrarë disa fëmijë në Jabalia.

Zyrtarët shëndetësorë në Gaza kanë rritur shqetësimin për situatën humanitare, duke thënë se nuk kanë karburante të mjaftueshme për të operuar me gjeneratorë në spitale dhe kjo çoi deri tek arritja e marrëveshjes së armëpushimit.

Izraeli ka thënë se ka të drejtë të “përgjigjet fuqishëm” nëse shkelet armëpushimi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG