Presidenti amerikan, Donald Trump ka dhënë shenja për ulje të tensioneve në konfliktin e tij me Teheranin, që ka dërguar botën në prag të luftës, duke bërë me dije që nuk do të përdorë forcën ushtarake për t’u hakmarrë kundër Iranit për sulmet e tij me raketa në dy baza ushtarake amerikane në Irak, që nuk kanë rezultuar me viktima.
Trump ka përzier terme të neverisë për politikat e Iranit në sponsorim të terrorizmit me ato për paqe dhe bashkëpunim, në një fjalim drejtuar kombit në Shtëpinë e Bardhë më 8 janar, teksa bota ka qenë në pritje të lajmit nëse do të nisë një luftë e re në Lindjen e Mesme.
I rrethuar nga nënpresidenti, Mike Pence, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, Sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper dhe zyrtarët më të lartë ushtarakë, Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të përdorin fuqitë e tyre ekonomike për të goditur Teheranin për nisjen e raketave të tij balistike në dy baza amerikane.
“Teksa vazhdojmë të shqyrtojmë mundësitë për përgjigje ndaj agresionit iranian, Shtetet e Bashkuara do të aplikojnë sanksione shtesë ekonomike kundër regjimit iranian”, ka thënë Trump në një fjalim 10-minutësh.
Ndërkohë Trump i ka bërë të qartë Teheranit se Shtetet e Bashkuara kanë kapacitete për të shkatërruar shënjestrat në Iran me raketa “të mëdha, të fuqishme, të sakta dhe të shpejta”, mirëpo tani zgjidhja ushtarake nuk është prioritet.
“Fakti që kemi këtë ushtri dhe pajisje fantastike nuk nënkupton se duhet t’i shfrytëzojmë. Ne nuk duam t’i përdorim ato”, ka thënë Trump.
Presidenti ka thënë se ai dëshiron të arrijë marrëveshje të re me Iranin për programin e tij bërthamor, që përbën një prej çështjeve kryesore të konfliktit në mes të Uashingtonit dhe Iranit.
Alex Vatanka nga Instituti për Lindje të Mesme në Uashington ka thënë për Radion Evropa e Lirë se fjalimi i Trumpit “e ka lënë derën e hapur” për zgjidhje diplomatike me Iranin.
Iranin nën anën tjetër i ka hapur rrugën Trumpit për ulje të tensioneve duke u hakmarrë për vrasjen e gjeneralit të tij më të fuqishëm, por pa shkaktuar humbje të jetëve, ka thënë mes tjerash ai.
Më 8 janar, Irani ka nisur dhjetëra raketa balistike në bazat ajrore amerikane, Ain al-Asad dhe Harir në Irak, në të cilat gjenden ushtarë amerikanë.
Ky sulm ka qenë përgjigje për vrasjen e gjeneralit ushtarak, Qasem Soleimani më 3 janar me dron të SHBA-së.
Soleimani ka udhëhequr forcat elite të Gardës Revolucionare Islamike.
Trump ka thënë se raketat kanë shkaktuar “dëm minimal” në baza dhe askush nuk ka vdekur. Vatanka ka thënë se Irani ka mundur të vrasë amerikanë nëse do të kishte dashur.
Prandaj, duket se si shkak të mungesës së dëmit dhe humbjes së jetëve, Trump ka thënë se Irani “duket se po tërhiqet”.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani “kanë shkuar në prag të luftës dhe kur e kanë parë çfarë gjendet në anën tjetër, nuk iu ka pëlqyer”, ka thënë Vatanka.
Pas fjalimit të Trumpit çmimet e naftës kanë rënë për 5 për qind, meqë është nënkuptuar se lufta nuk ekziston si mundësi tani për tani.
Lindja e Mesme është rajoni që prodhon më së shumti naftë në botë dhe lufta potenciale pati ngritur shqetësime për eksportet e naftës nga ky rajon.
Megjithatë, çështjet për të cilat kanë mospajtime Uashingtoni dhe Teherani nuk janë adresuar ende dhe situata mund të përshkallëzohet sërish, ka thënë Dalia Dassa Kaye, drejtore e Qendrës për Politika Publike të Lindjes së Mesme në Rand Corp, për Radion Evropa e Lirë.
“Fjalimi i presidentit ka treguar se nuk ka ndryshim të politikave. Ndonëse është i mirëpritur lajmi që nuk ka shenja, por as interes për përshkallëzim diplomatik, unë mendoj se do të shohim më shumë sesa vetëm fjalë”, ka thënë ajo.
Vrasja e gjeneralit iranian
Vrasja e Soleimanit nga SHBA-ja ka pasuar sulmin me raketa kundër bazës amerikane në Irak më 27 dhjetor të vitit të kaluar, që ka lënë të vdekur një person dhe ka plagosur katër të tjerë.
Pak ditë më vonë milicitë e përkrahura nga Irani, patën sulmuar edhe ambasadën amerikane në Bagdad.
Trump ka thënë se Soleimani ka qenë mbrapa dy sulmeve dhe se ai është përgjegjës për vrasjen e mijëra trupave amerikane përgjatë viteve.
Ai ka arsyetuar vrasjen e Soleimanit në fjalimin e tij duke thënë se komandanti iranian ka rrezikuar “jetën e shumë amerikanëve”.
Vrasja ka shokuar Iranin dhe komunitetin ndërkombëtar, si dhe ka rritur frikën për luftë.
Demokratët kanë kritikuar vrasjen e Soleimanit, duke e cilësuar si të pamatur, dhe kanë thënë se politikat e Trumpit ndaj Iranit janë duke dërguar kombin në luftë.
Demokratët e Senatit kanë qenë edhe më kritikë pasi kanë thënë se zyrtarë të administratës nuk kanë dhënë prova se Soleimani ka qenë në gjendje të kryejë sulm kundër amerikanëve.
“Ky sulm duket se është zgjidhje e bërë nga administrata”, ka thënë senatori, Chris Murphy.
Ai ka thënë se vrasja ka rezultuar me pasoja “kataklizmike” për Shtetet e Bashkuara dhe potencialisht Irakun, i cili ka bërë thirrje për largim të trupave amerikane jashtë shtetit.
Trump ka shfrytëzuar fjalimin e tij për të fajësuar paraardhësin e tij, Barack Obama për përkeqësim të marrëdhënieve me Iranin, meqë ai ishte pajtuar për heqje të sanksioneve kundër Iranit në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthamor nga Teherani.
Kjo marrëveshje i ka mundësuar Iranit të ketë qasje në miliarda dollarë nëpër llogari bankare.
“Raketat e nisura natën e kaluar kundër neve dhe aleatëve tanë janë paguar me fondet që janë mundësuar nga administrata e kaluar”, ka thënë Trump.
Sidoqoftë, shumë analistë kanë thënë se vendimi i njëanshëm i Trumpit për t’u larguar nga marrëveshja bërthamore, që fuqitë botërore kanë nënshkruar me Iranin, ka qenë pikënisje e rritjes së tensioneve.
Përveç SHBA-së, marrëveshja është nënshkruar edhe nga Rusia, Kina, Gjermania, Franca dhe Britania.
Trump e ka cilësuar marrëveshjen “të tmerrshme” dhe ka thënë se mund të rezultojë me zhvillimin të uraniumit të shkallës së bombës.
Presidenti ka hapur fjalimin e tij duke thënë se ai nuk do të lejojë kurrë që Irani të ketë program bërthamor.
Trump ka vënë sanksione të ashpra kundër Iranit, pas tërheqjes nga pakti bërthamor më 2018, duke i goditur rëndë sektorin ekonomik këtij shteti.
Që nga ajo kohë, Trump ka zgjeruar disa herë sanksionet.
Irani në anën tjetër ka sulmuar rafineri të naftës dhe baza amerikane në Irak.
Teherani është fajësuar edhe për sulmet në rafineri të naftës në Arabinë Saudite.
Njoftimi i Trumpit për shtim të sanksioneve ka treguar se nuk do të ketë zmbrapsje të strategjisë amerikane ndaj Iranit”, ka thënë Kay nga Rand Corps.