Ndërlidhjet

Dhjetëra ditë ferr: Historia e një familjeje nën rrethim në Mariupol


Punëtorët ukrainas të emergjencës dhe vullnetarët duke e bartur një shtatzënë të plagosur nga sulmi rus në një maternitet në Mariupol. 9 mars 2022.
Punëtorët ukrainas të emergjencës dhe vullnetarët duke e bartur një shtatzënë të plagosur nga sulmi rus në një maternitet në Mariupol. 9 mars 2022.

Pak para se të binte bomba e parë e forcave ushtarake ruse në një maternitet në Mariupol, më 9 mars 2022, familja Husak veçse e kishte kuptuar që jeta në këtë qytet të rrethuar, ishte kthyer në ferr.

Ata kanë humbur vendet e punës, shtëpinë, familjarët.

Oleh dhe Olha Husak, të dy kanë qenë të plagosur.

Mirëpo sulmi në spital – i cili ka ndodhur vetëm 15 ditë pasi Rusia ka nisur sulmin e paprovokuar në Ukrainë – e ka bërë jetën makth.

Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 25.000 njerëz kanë vdekur në Mariupiol në ditët e para të luftës.

Megjithatë, grupet për të drejta të njeriut besojnë se shifra e të vdekurve ka shkuar në 100.000.

Forcat ruse akuzohen për krime të shumta lufte në Mariupol, sikurse edhe në shumë lokacione tjera në Ukrainë.

Në kohën e sulmit, çifti ka qenë jashtë, në afërsi të spitalit, duke përgatitur ushqim afër një zjarri të ndezur, në mungesë të rrymës dhe pasi kuzhina e shtëpisë është shkatërruar krejtësisht.

Anastasia, vajza më e madhe, ka qenë në njërin prej spitaleve të maternitetit, dhe në pritje të lindjes, bashkë me burrin dhe vëllain 10 vjeç.

“Papritur e kam dëgjuar një zhurmë të madhe dhe kam bërtitur ‘Aeroplani’, ‘Aeroplani’”, rikujton Oleh.

“Kemi vrapuar në vendin e strehimit kundër raketave, mirëpo kur dëgjon aeroplanin, do të thotë se bomba veçse është lëshuar, dhe nuk të kanë mbetur më shumë se katër sekonda për të gjetur strehim”.

Ai e ka përshkruar kraterin e krijuar nga bomba si shtatë metra të thellë dhe 50 metra të gjerë.

Një pjesë e murit të shkatërruar ka rënë mbi Olhan.

“Ajo ka qenë e shtrirë, me sytë e mbyllur, dhe unë kam menduar se ka vdekur. Por, ajo i ka hapur sytë, dhe kemi nisur të zvarritemi”, ka thënë ai.

Në shqetësim e sipër nëse fëmijët e tyre janë të sigurt, ata janë marrë prej policisë për t’u dërguar në një spital tjetër ku u janë qepur plagët pa “anestezion”, ka thënë Oleh, për shkak të mungesës së ilaçeve.

“Kam pasoja. Nuk mund të dëgjoj me veshin e majtë dhe dora ime e djathtë nuk funksionon si duhet. Olha ka pasur plagë në fytyrë, kokë dhe gjymtyrë”, ka thënë Oleh, pas gati dy vjetëve prej kur ka nisur lufta.

'Nuk ka vend për trupa'

Familja është ndarë pas sulmit ajror.

Olha dhe Oleh janë dërguar në njërin spital, derisa fëmijët kanë qenë në spitalin tjetër.

Linjat e komunikimit kanë rënë dje ata nuk kanë mundur ta telefonojnë njëri-tjetrin.

“Njerëzit më kanë pyetur se si nuk jam çmendur, duke mos e ditur se çfarë ka ndodhur me fëmijët. Por, kam jetuar me një mendim: Do t’i gjej ata. Dhe ashtu kam vazhduar”, ka thënë Olha.

Oleh dhe Olha kanë qenë në spitalin e pushtuar prej rusëve, për më shumë se një muaj.

Spitali ka mbetur pa ushqime, dhe ka pasur mungesa të mëdha edhe për pacientët më të sëmurë.

Por, sipas Olahas, gjëja më e vështirë ka qenë kur është rritur numri i trupave të pajetë.

“Kemi qenë në departamentin e neurokirurgjisë prej 9 marsit deri më 13 mars, të shtrirë në korridor, dhe kemi parë qindra qese të zeza duke na kaluar afër. Ju qëndroni aty dhe dëgjoni njerëzit duke vdekur, ata nuk mund të ndihmohen më”, ka thënë ajo.

“Kur kemi ikur prej spitalit, kemi parë trupa të shtrirë, kemi parë shumë qese të zeza në disa kosha. Nuk ka pasur vend për ta në morgje. Kemi parë qentë duke shprishur pjesë të trupave të njerëzve”.

Më 12 mars, Olha ka kujtuar se si militantët e Republikës Popullore të Donjeckut – grupit separatist të përkrahur nga Rusia – kanë hyrë në spital.

“Në hyrje të spitalit, ata e kanë shtrirë trupin e një ushtari ukrainas. Secilën herë që kemi ecur andej, na është dashur të kalojmë përmes trupit të tij ë vdekur, ka qenë presion i madh psikologjik.

“E njëjta do të ndodhë edhe me ju”, na kanë thënë ushtarët, kujton Olha.

Ajo reflekton se si forcat ruse janë shtyrë prej një mendësie me shumë të meta.

“Të gjitha luftërat, edhe ajo që po ndodh në Ukrainë – dhe jo vetëm në Ukrainë, por edhe në Gjeorgji, dhe më pas Moldavi – janë pasojë e propagandës ruse”, ka thënë Oleh.

“Kur kemi biseduar me këta ‘çlirimtarë’, ata kanë besuar se kanë ardhur të na çlirojnë prej fashizmit. Prandaj, të gjithë ukrainasit dhe njerëzit e botës perëndimore, që kërkojnë liri, pavarësi, dhe drejtësi, janë armiqtë e tyre”.

Djali më i vogël i çiftit, Vladyslavi, heziton të bisedojë për atë që ka ndodhur në maternitet, pas sulmit ajror.

Ai kujton momentin e sulmit, kur ai dhe motra e tij dhe dhëndri kanë qenë në sallën e lindjes.

“Njerëzit kanë qenë duke bërtitur. Ka pasur shumë copëza. Të gjithë kanë qenë shumë të frikësuar”, ka thënë ai.

“Prindërit e mi kanë qenë diku tjetër, dhe nuk e kam ditur a janë mirë. Gjëja e parë që kam pyetur pas shpërthimit, kur jemi nxjerrë jashtë, ka qenë ‘Çfarë i ka ndodhur nënës? Ku është ajo?”

Ribashkimi në Roterdam

Janë dashur një muaj për ribashkim të familjes.

“Nuk kemi larguar më shpejt nga Mariupoli, sepse nuk mund t’i gjenim fëmijët”, ka thënë Olha.

“Më vonë kemi mësuar se Anastasia ka lindur një djalë, më 22 mars, në bodrumin e një spitali. Lindja e saj ka zgjatur 20 orë, gjatë kohës sa ka ndodhur sulmi. Më 11 prill, ata janë larguar prej aty prej gazetarëve francezë.

Oleh dhe Olha kanë arritur të ikin disa ditë më vonë, më 14 prill.

“Për fat, vullnetarët kanë ardhur atë ditë, me dy autobusë të vegjël dhe kemi udhëtuar 12 orë në Zaporizhja, rrugë e cila zakonisht zgjat dy deri në tri orë. Nuk ka pasur ‘korridore të gjelbra’. Ka qenë tmerruese, sepse i kemi kaluar 25 postblloqe ruse, dhe kemi parë shumë çeçenë. Kur kemi arritur në Zaporizhja, nuk mund të besoja se e kemi lënë mbrapa atë ferr”.

Në secilin postbllok, burrat janë nxjerrë jashtë dhe u është kërkuar të renditen dhe t’i tregojnë dokumentet.

Ushtarët rusë kanë qenë në kërkim të tatuve patriotike, ka thënë Oleh, duke treguar se ushtarët kanë kontrolluar duart e burrave për parë nëse kanë shenja të gjuajtjeve me armë.

Ata i kanë kontrolluar edhe telefonat e të gjithëve.

Me ndihmën e vullnetarëve, Husakët kanë arritur në Gjermani.

Teksa autobusi ka qenë duke iu afruar Roterdamit, Olha i ka parë fëmijët duke qëndruar në njërën anë të rrugës.

Ajo i ka bërtitur shoferit, duke i kërkuar të ndalet.

“Ka qenë autostradë. Nuk mund të ndalesh ashtu, por shoferi është ndalur. E di që kam mundur të goditem. Shumë makina janë ndalur dhe kam vrapuar drejt fëmijëve. I kam përqafuar, i kam puthur dhe e kam takuar nipin tim për herë të parë. Ia kanë lënë emrin Damyr, që do të thotë “dikush që sjell paqe”, kujton Olha me lot në sy.

Tani familja është e bashkuar në Roterdam.

Olha dhe Oleh punojnë një port, mbledhin pemë për një fabrikë.

Ata kanë thënë se punojnë bashkë me shumë ukrainas dhe polakë.

Në pritje të çlirimit

Familja Husak bisedon shpesh me njerëzit që janë ende në Mariupol dhe ata tregojnë rrëfime të tmerrshme.

“Është e pamundshme të largohesh nëse ke pasaportë ukrainase. Nuk ka ndihmë mjekësore për shtetasit ukrainas. Situata është shumë e vështirë, nuk ka mbetur asgjë prej qytetit”, ka thënë Olha.

“Njerëzit kanë ardhur prej Rusisë, shumë çeçenë, dhe kombësi tjera. Banorët lokalë që kanë mbetur atje, jetojnë nëpër shtëpi të bombarduara, ndërsa banorëve të rinj u falen banesa që janë ndërtuar për propagandë, që ata të mund të thonë ‘shiheni, qyteti është çliruar, ata po e rindërtojnë’”.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, rreth 90 për qind e ndërtesave të larta të banimit, dhe rreth 60 për qind e shtëpive, janë dëmtuar ose shkatërruar gjatë rrethimit të Mariupolit.

Edhe shtëpia e familjes Husak, është shkatërruar.

“Vëllai im ka vdekur aty”, ka thënë Olha.

“Ai është vrarë mes 3-5 marsit të vitit 2022, dhe nuk kemi mundur ta varrosim deri më 26 mars”.

Familja është bërë pjesë e dokumentarit “20 ditë në Mariupol” të përgatitur nga agjencia Associated Press.

Ekipi ka arritur në Mariupol një orë para nisjes së pushtimit, dhe ata kanë qenë gazetarët e vetëm në qytet atë periudhë.

Për gati tri javë, ata kanë dokumentuar krimet e kryera prej forcave ruse.

Filmi është nderuar me shumë çmime, përfshirë edhe prej Festivalit Sundance.

Për Olehun dhe Olhan, planet afatgjate janë pauzuar, teksa presin çlirimin e vendlindjes.

“Ne vërtet duam që Mariupoli të çlirohet. Dua të shkoj aty, të vizitoj varret e prindërve dhe vëllait tim. Më mungon shumë Ukraina”, ka thënë Olha.

“Nuk do të shkojmë në Mariupol sa të jetë i pushtuar. Kur të çlirohet qyteti dhe të ketë fitore, nëse qytetit i duhemi ne, do të shkojmë aty”, ka thënë Oleh.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG