Ndërlidhjet

Gjermania regjistroi rreth 1.000 incidente antisemitike që nga 7 tetori


Ylli i Davidit në majë të Sinagogës së Re në Berlin. Gjermani, 27 qershor 2023.
Ylli i Davidit në majë të Sinagogës së Re në Berlin. Gjermani, 27 qershor 2023.

Plot 994 incidente antisemitike u raportuan në Gjermani në muajin e parë të luftës midis Izraelit dhe Hamasit, grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ky numër shënon 29 raste në ditë, 320% më shumë incidente krahasuar me mesataren ditore në vitin 2022, raportoi Shoqata Federale e Departamenteve për Kërkime dhe Informacion mbi Antisemitizmin (Rias), në Berlin, të martën.

Vlerësimi mbulon periudhën nga 7 tetori deri më 9 nëntor 2023.

Shumë hebrenj përjetuan incidente antisemitike në përditshmërinë e tyre dhe ndien pasiguri, tha Rias.

Në 59 raste, incidentet kanë ndodhur në zonat e banimit. Në Giessen dy burra u futën me forcë në banesën e një izraeliti për të hequr një flamur izraelit të varur në dritare.

Antisemitizmi dhe propaganda anti-izraelite janë gjithashtu në rritje në universitete ku u raportuan 37 incidente.

Sipas studentëve hebrenj, ata u fajësuan nga studentët e tjerë për veprimet e Izraelit. Madje, disa kanë ndaluar së shkuari në universitet.

Shifrat janë alarmante, por jo befasuese, tha Hanna Veiler, presidente e Unionit Studentor Hebre në Gjermani.

"Hebrenjtë e rinj kanë raportuar në vazhdimësi që nga 7 tetori se sa është rritur antisemitizmi që ata perceptojnë në jetën e tyre të përditshme, veçanërisht në kontekstin universitar”, tha ajo.

Qendrat e raportimit Rias regjistruan 177 tubime antisemitike në mbarë vendin.

"Sukseset propagandistike të Hamasit kanë një ndikim më të madh në numrin dhe rrjedhën e demonstratave në Gjermani sesa veprimet të vetë ushtrisë izraelite”, tha drejtori menaxhues i Rias, Benjamin Steinitz.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG