Ndërlidhjet

Riorganizimi i ministrive krijon lista të tepricave


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Shkrirja e ministrive nga 21, sa ishin në Qeverinë e kaluar të Kosovës, në 15 sosh sa ka qeveria aktuale, ka krijuar një situatë të paqartë për të punësuarit në sektorin publik. Në një debat të organizuar nga organizata Demokraci Plus, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ata të shërbyesve civilë thanë se asnjë nëpunësi civilë nuk do të duhej t’i shkëputet kontrata si pasojë e këtij riorganizimi nëpër të cilin po kalon qeveria.

Sipas tyre, qeveria duhet t’i risistemojë punonjësit civilë nëpër ministritë përkatëse, të cilat tashmë janë bashkuar. Përderisa largimi eventual i tyre nga vendet e punës, është vlerësuar se do të mund të konsiderohej i paligjshëm.

Visar Rushti nga Demokraci Plus, thotë se riorganizimi me shërbyesit civilë duhet të bëhet vetëm mbi bazën ligjore.

“Pas procesit, jo të shkarkimit, por të klasifikimit të sekretarëve si nëpunës civilë tepricë, ne themi se nuk duhet të ketë shkarkime, në kuptimin e ndërprerjes së punës. Çështja e riorganizimit nuk ka të bëjë me këtë aspekt. Nëse qeveria dëshiron të zvogëlojë numrin e nëpunësve civilë, duhet ta ndjekë një politikë dhe të ketë një qasje tjetër. Një propozim që ne e kemi përcjellë është që qeveria mund të ndërpresë rekrutimin e shërbyesve tjerë civilë përderisa të dihet se kush ku po risistemohet”, thotë Rushiti.

Për shkak të zvogëlimit të numrit të ministrive, qeveria ka marrë vendim që të krijojë një listë të tepricës me sekretarët e përhershëm të ministrive që janë prekur nga riorganizimi.

Flakron Gashi, zyrtar i lartë për bashkëpunim profesional nga Këshilli Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, thotë se qeveria nuk e ka menduar mirë ristrukturimin. Sipas tij, deri më tani nuk ka asnjë draft-strategji apo dokument me fuqi nënligjore, që e specifikon mënyrën se si do të trajtohet dhe si do të bëhet fuzionomi i këtyre institucioneve.

“Ligji për shërbimin civil është i detajuar edhe me akte nënligjore dhe ka specifika të qarta se si duhet të trajtohet stafi tepricë. Ata mund të paguhen për një vit në vlerën prej 70 për qind të pagës bazë, me kushtin që institucioni duhet të marrë përgjegjësinë që t’ua ricaktojë atyre pozitat e reja ekuivalente. Në të kundërtën, atyre do t’u ofrohej të kalojnë në kategori më të ulëta, mirëpo çdo herë me pëlqimin e tyre”, thotë Gashi.

Në raste të tilla, nënvizon ai, shtrohet edhe dilema se çka nëse një zyrtar nuk e jep pëlqimin që të gradohet në një pozitë më të ulët.

“Nëse këta zyrtarë kanë pasur performancë të mirë dhe nuk kanë bërë ndonjë shkelje, ata me vendim të gjykatës do të ktheheshin në vendin e punës ku kanë qenë sipas akt-emërimeve të njëjta dhe institucioni do të obligohet t’ua bëjë kompensim madje edhe me kamata”, thotë Gashi.

Të gjithë nëpunësit civilë në Kosovë me kontrata të rregullta të punës kanë akt-emërime me afat të pacaktuar.

Naim Shala, drejtor i departamentit ligjor në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, thotë se ky proces i ristrukturimit të ministrive është një sfidë e madhe me të cilën po ballafaqohen. Problemi sipas tij, qëndron në atë se me cilin ligj do të veprohet.

“Besoj se do ta përballojmë edhe këtë situatë. Duhet të zgjidhet modeli në bashkëpunim me qeverinë. Tani jemi në një situatë kur duhet me një ligj, në frymën e këtyre reformave, t’i rregullojmë disa situata”, thotë Shala.

Aktualisht është në fuqi Ligji për shërbyesit civilë i cili e njeh dhe trajton kategorinë e nëpunësve civilë tepricë në rast të suprimimit, bashkimit apo riorganizimit të institucionit.

Në anën tjetër, Ligji për zyrtarët publikë, i cili është i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese deri në fund të shkurtit 2020, e njeh të drejtën e transferimit të nëpunësve civilë për shkak të shuarjes apo ristrukturimit të institucionit në një pozitë tjetër të shërbimit civil të së njëjtës kategori.

Valon Ramadani nga Komisioni Parlamentar për qeverisje lokale administratë publike, zhvillim rajonal dhe media thotë se ri-organizimi i dikastereve të qeverisë është një rast që duhet të shfrytëzohet për të bërë një reformë në administratën publike.

“Jemi dëshmitarë se ish-pushtetet e kanë shfrytëzuar dhe kanë abuzuar me pozitat e ndryshme dhe kishte punësimet nepotiste. Aty ku është dashur të ketë profesionit, ka pasur jo profesionist. Duke e njohur këtë situatë është e domosdoshme reforma e cila e përmirëson gjendjen”, thotë ai.

Numri i të punësuarve në sektorin publik është rreth 82 mijë persona. Paga mesatare në këtë sektor, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2018, ishte 573 euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG