Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi të mërkurën pasdite se e ka përfunduar rinumërimin e 1.361 fletëvotimeve të pavlefshme nga votimi me postë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Këto fletëvotime gjendeshin të vendosura në 177 kuti votimi, tha KQZ-ja në Facebook.
Sekretariati i KQZ-së kishte kërkuar më herët që të hapeshin për rinumërim 177 kutive të votimit për vlerësim të votave të pavlefshme. Rinumërimi i tyre nisi të mërkurën pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e pranoi ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje ditë më parë.
Ndërkohë, të mërkurën paradite, KQZ-ka bëri të ditur se në Qendrën për Numërim dhe Rezultate kishte përfunduar rinumërimi i 50 vendvotimeve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
KQZ-ja mori vendim më herët gjatë javës që 15 nga këto vendvotime të rinumëroheshin për shkak të mospërputhjeve të numrit të nënshkrimeve në listën e votuesve me me numrin e fletëvotimeve brenda në kutitë e votimit të këtyre vendvotimeve.
Ndërkaq, 25 kutitë e tjera i përkisnin komunës së Vushtrrisë pasi kishte “mospërputhje të rezultateve” të kandidatëve për deputetë.
Më 5 shkurt, KQZ-ja kishte njoftuar për përfundimin e numërimit të të gjitha votave për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit.
Pas kësaj, partitë dhe kandidatët kishin mundësi të dërgonin ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Pasi të ketë përfunduar procesi i rinumërimit të votave me postë, KQZ-ja mund të certifikojë rezultatin zgjedhor dhe t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti është fituesja e zgjedhjeve, por ajo ka fituar 48 ulëse në Kuvend, të pamjaftueshme për të krijuar vetë ekzekutivin e ri.
LVV-ja ka thënë se ka pak gjasa për bashkëpunim me partitë opozitare dhe ka shprehur dëshirën që Qeverinë ta formojë me partitë joserbe. Edhe partitë opozitare shqiptare janë shprehur kundër bashkëpunimit me partinë e Kurtit.