Në Kizhevak të Rashkës në Serbi, të mërkurën, kanë rifilluar gërmimet për mbetjet mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.
Në ditën e parë të gërmimeve, sipas një njoftimi për media të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është bërë dekonzervimi i terrenit, ndërsa nesër (e enjte) do të fillohet me tërheqjen e eshtrave.
Gërmimet vlerësuese dhe zhvarrosjet e mbetjeve mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë do të vazhdojnë në këtë lokacion së paku për dy javë rresht, thuhet në njoftim.
“Do të punohet gjashtë ditë në javë, ndërsa të dielën do të bëhet ndërrimi i ekipeve. Ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të jenë në lokacionin e varrezës masive deri në përfundim të procesit”, thuhet po ashtu në njoftim.
Gërmimet e para në varrezën masive të Kizhevakut janë bërë në fund të vitit të kaluar.
Atje janë gjetur mbetjet mortore të 4-5 personave.
Atëbotë, autoritetet kanë thënë se kërkimet në Kizhevak do të vazhdojnë në vitin 2021, pasi të përmirësohen kushtet e motit.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6,500 persona.
Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.
Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë.