Ndërlidhjet

Spasovski, i ashpër me ministrat që s’e respektojnë Marrëveshjen për emrin


Oliver Spasovski
Oliver Spasovski

Kërkesa e kryeministrit maqedonas, Oliver Spasovski, për shkarkimin e ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Rashella Mizrahi, ka shkaktuar tensione të reja politike vetëm disa ditë para vendimit të paralajmëruar për shpërndarjen e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Vendimi i Spasovskit dërguar Kuvendit për shkarkimin e Mizrahit, që në këtë post është propozuar nga VMRO DPMNE-ja opozitare, e cila merr pjesë në qeverinë teknike, që si prioritet ka organizimin e zgjedhjeve të 12 prillit, është marrë me arsyetimin se ajo ka shkelur Kushtetutën me mosrespektimin e emrit të ri të shtetit, Maqedonia e Veriut.

Ministrja e Punës është paraqitur në një konferencë për media para një tabele me emrin e vjetër, Republika e Maqedonisë, që sipas kryeministrit Spasovski, paraqet shkelje të Kushtetutës.

“Nuk asgjë më të rëndësishme në shtet se sa respektimi i ligjit dhe Kushtetutës. Unë e kam thënë se mund të ulem dhe të bisedoj, e madje edhe të bëj kompromise për çështje politike, por jo edhe për respektimin ose jo të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Ajo është betuar se do ta respektojë Kushtetutën dhe këtë duhet ta bëjë, në të kundërtën do të shkarkohet”, ka deklaruar Spasovski.

Ai ka thënë se me një qasje të tillë, ajo si përfaqësuese e VMRO DPMNE-së në qeverinë teknike, po rrezikon të ardhmen euroatlantike të vendit meqë ndaj një veprimi të tillë ka reaguar edhe Greqia, me të cilën është nënshkruar marrëveshja për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar të emrit.

“Nëse zyrtarët e opozitës vazhdojnë me qasje të tilla, rrezikojnë kthimin e vetos greke”, ka theksuar Spasovski.

Reagimin e palës greke përmes një note të protestës e kishte bërë të ditur, të dielën, shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov.

“Marrëveshja e Prespës duhet të zbatohet në tërësi. Ajo i hapi rrugën anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe kandidaturës së fuqishme të saj për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, kishte deklaruar Dimitrov duke lexuar pjesë të notës së protestës të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë.

Athina ka reaguar edhe ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Naqe Çulev, i cili në të dhënat personale në faqen zyrtare të Ministrisë, vendin e ka emërtuar si “Republika e Maqedonisë”.

VMRO DPMNE-ja e ka kundërshtuar ndërkohë nismën për shkarkimin e ministres së saj në qeverinë teknike, ndërsa reagimin e qeverisë më shumë e ka quajtur manifestim të frikës se sa përkushtim të saj për mbrojtjen e Kushtetutës.

“Unë e kuptoj nervozizmin e tyre pasi e dinë se pas 12 prillit, humbjes në zgjedhje, do të përgjigjen për gjithçka që kanë bërë, andaj i bëj thirrje për mirëkuptim dhe të mos tentojnë të futen në skenarë që mund të nxisin tensione politike në vend. Ata duhet të kenë parasysh interesat nacionale e shtetërore dhe jo të merren me gjëra të tilla”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

VMRO DPMNE-ja opozitare disa herë ka përsëritur se në rast të fitores në zgjedhje, do ta shqyrtojë mundësinë juridike për anulimin e Marrëveshjes së Prespës, por njohësit e çështjeve politike në disa raste kanë theksuar se këtë qëndrim të opozitës më tepër e shohin tentim për të fituar pikë politike se sa si një kërcënim real për këtë marrëveshje të arritur me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.

E pyetur të komentojë qëndrimet e VMRO DPMNE-së, ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Byrnes, ka thënë se Marrëveshja e Prespës duhet të respektohet pasi ka vendosur themelet e së ardhmes euro-atlantike të vendit.

“Ajo nuk ka të bëjë vetëm me emrin, por me krijimin e mundësive të njerëzve të vendit dhe rajonit. Kur dëgjoj të flitet për ndryshimin, shfuqizimin e Marrëveshjes, mendoj se njerëzit duhet të dinë dhe të mendojnë për dobitë që vijnë nga e njëjta. Ajo dërgoi mesazhin se Maqedonia e Veriut është e gatshme të ketë bashkëpunim konstruktiv me fqinjët dhe të punojë me fqinjët për aspiratat euro-atlantike”, ka deklaruar ambasadorja Byrnes.

Marrëveshja e Prespës është arritur më 17 qershor të vitit 2018.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG