Mbi shtatë milionë euro vlerësohen dëmet e shkaktuara në kulturat bujqësore nga reshjet e shiut të javëve të fundit, në disa komuna të Kosovës, thonë zyrtarë të Qeverisë.
Në mesin e bujqve të dëmtuar është edhe Bedri Morina, nga fshati Drenoc në komunën e Malishevës, i cili për Radion Evropa e Lirë tregon se e gjithë sipërfaqja e të mbjellave në lagjen ‘Morina’ është dëmtuar.
Ai tregon se sipërfaqja me mbi 20 hektarë të mbjella me kulturën e grurit është dëmtuar, kurse rreth 2 hektarë kanë qenë të mbjella me perime, e të cilat po ashtu janë dëmtuar komplet.
Morina, megjithatë thotë se nuk është bërë ndonjë vlerësim i dëmeve.
“Patatet, domatet, specat, shalqiri, rrushi dhe pemët, të gjitha janë dëmtuar”, tregon Morina.
Adem Arifaj, shef i Divizionit për Mbrojtjen e Bimëve, në kuadër të Ministrisë se Bujqësisë, njëherësh kryetar i Komisionit për vlerësimin e dëmeve në nivel vendi, thotë Radion Evropa e Lirë se kulturat më të dëmtuara gjatë këtij viti janë gruri, pemët, vreshtat dhe perimet.
Sipas vlerësimeve nga terreni, thotë Arifaj, vlera e dëmeve kalon mbi shtatë milionë euro.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për kompensim të menjëhershëm të dëmeve të shkaktuara këtë vit nga reshjet e shiut dhe breshrit nëpër komunat e Kosovës.
Por, nuk ka përcaktuar shumën e kompensimit, pasi siç është thënë, kjo do të jetë subjekt i analizës dhe mundësive buxhetore.
Krahas kësaj, Qeveria ka autorizuar Ministrinë e Financave për krijimin e një fondi të veçantë për vitin 2019 dhe themelimin e Komisionit që do të krijojë sistemin e sigurimeve të prodhimtarisë bujqësore në Kosovë, për ta stabilizuar tregun e bujqësisë në vend dhe për t’i dhënë përkrahje kësaj fushe.
Por, bujku Bedri Morina tregon se deri më tani, nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga niveli komunal apo qendror për mundësinë e kompensimit tëdëmeve.
“Në komunën e Malishevës më kanë thënë se nuk kemi mjete për kompensim. Por, megjithatë, zyrtarë të komunës kanë pohuar se nëse ndahen mjete nga Qeveria, mundësitë ekzistojnë. Sidoqoftë, deri më tani ne nuk kemi asnjë informatë për kompensim të dëmeve”, thotë Morina.
Për ndikimin e reshjeve në zhvillimin e bimëve flet edhe Ymer Rusiniovci, profesor në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës.
“Reshjet te gruri ndikojnë negativisht sepse ulë peshën e grurit, prolongon procesin e korrjes dhe për pasojë mielli që do të realizohet nga ngastrat kultivuese të prodhimit vendor, këtë vit do të ketë cilësi më të ulët. Situatë të ngjashme është edhe te një pjesë të konsiderueshme të perimeve që kanë invazion të madh të reshjeve, përkatësisht të lagështisë”, thotë Rusinovci.
Republika e Kosovë ka një sipërfaqe prej mbi 10 mijë kilometra katrorë, kurse sipas vjetarit statistikor të Agjencisë se Statistikave te Kosovës, sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës për prodhimtari bujqësore në vitin 2016 ka qenë mbi 416 mijë hektarë. Nga kjo sipërfaqe, ara të punueshme kanë qenë mbi 180 mijë hektarë, kurse kopshte rreth 1000 hektarë.