Ndërlidhjet

Hoxha: Në qershor presim rekomandim pozitiv për liberalizim të vizave


Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha. Foto nga arkivi
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha. Foto nga arkivi

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë pas takimeve që zhvilloi gjatë fund javës me delegacionin faktmbledhës të Komisionit Evropian, thotë se pret vlerësim pozitiv të plotësimit të të gjitha kritereve për liberalizim të vizave.

Në Kosovë gjatë javës së kaluar ka qëndruar një delegacion i Bashkimit Evropian të cilët kanë mbledhur të dhëna rreth zbatimit të kriterit të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si kushti i fundit në procesin e gjatë të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ministrja Hoxha bën të ditur se është arritur që para këtij komisioni faktmbledhës të Komisionit Evropian të tregohet puna e bërë. Sipas saj, komisionit të BE-së i janë ofruar fakte dhe argumente për rastet e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Qëllimi i këtij misioni ka qenë mbledhja e të dhënave për rastet e shenjëzuara të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vet fakti që nga 31 raste kur ka filluar të monitorohet ky kriter, e deri kur ka ardhur misioni vlerësues, ne kemi arritur të kemi 43 raste, tregon se ka pasur progres në këtë aspekt, ku kemi edhe raste të vendimeve të prera nga gjykatat tona dhe rastet tjera që kanë lëvizur, qoftë në instancën e parë apo të dytë gjyqësore”, thotë Hoxha.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë në vazhdimësi u kanë bërë thirrje institucioneve përgjegjëse në Kosovë që të ndërmarrin hapa konkret në luftimin e korrupsionit, si njëri prej kushteve në rrugën e saj në integrimet evropiane.

Në kuadër të angazhimeve për të fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit, Qeveria e Kosovës ka miratuar tanimë projekt Kodin e ri Penal të Kosovës me të cilin janë paraparë dënime më të ashpra për keqpërdoruesit e parasë publike.

Ministrja Hoxha bën të ditur se delegacioni vlerësues nga Komisioni i Evropian ka pasur takime edhe me përfaqësues të gjyqësorit dhe prokurorisë, si mekanizma përcjellës të plotësimit e kushtit të fundit për liberalizimin e vizave.

Kosova, nënvizon Hoxha, edhe në muajin maj të vitit 2016, ka pasur vlerësim pozitiv të kriterit të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit nga Komisioni Evropian dhe që sipas saj, që nga ai vlerësim deri më tani ka pasur rezultate të mëdha.

“Kemi arritur të tregojmë progresin tonë dhe jam shumë optimiste që nga fillimi i qershorit të kemi një rekomandim pozitiv në lidhje me përmbushjen e të gjitha kritereve. Pra, konsideroj që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit. Sipas dinamikës që ka BE-ja dhe duke u bazuar në rastet e vendeve që kanë kaluar në procesin e liberalizimit, jam optimiste që deri në fund të këtij viti, qytetarët tanë të lëvizin pa viza”, thotë Hoxha.

Edhe Organizata ndërkombëtare Transparency International në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2017, radhiti Kosovën në vendin e 85-të, me 39 pikë, që do të thotë se ka bërë përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, krahasuar me vitin paraprak kur ka qenë në vendin e 95-të me 36 pikë.

Ndryshe nga vendet tjera, Kosovës i janë vënë më shumë kritere për zbatim në procesin e gjatë të liberalizimit të vizave. Pas ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, tani kushti i fundit mbetet ofrimi i dëshmive për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Në rast se Bashkimi Evropian do të vlerësojë se edhe ky kusht është përmbushur nga ana e Kosovës, atëherë do të pasojë edhe faza e vendimmarrjes në BE dhe vendet anëtare, rreth heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës dhe vënien e Kosovës në listën e vendeve me qarkullim të lirë në zonën e Shengenit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG