Maqedonia tani 16 vjet nuk ka realizuar regjistrimin e popullsisë dhe kjo në vazhdimësi ka hapur debate me kërkesën për realizimin e këtij operacioni statistikor, jo vetëm që të dihet numri i popullatës, por edhe për planifikimin e politikave ekonomike, arsimore, sociale si edhe të nevojave tjera, ashtu siç veprohet thuajse në të gjitha shtetet në botë.
Regjistrimi i fundit është realizuar në vitin 2002, që u shoqërua me debate të shumta lidhur me përqindjen e popullatës shqiptare, e cila rezultoi të jetë 25.17 për qind. Nga numri i përgjithshëm dhe në bazë të kësaj përqindjeje, u përcaktuan edhe dispozitat kushtetuese mbi të drejtat e bashkësive etnike.
Tentim për regjistrimin e popullsisë kishte dhjetë vjet më vonë, në vitin 2012, por që nuk arriti të përfundojë pikërisht për shkak të përplasjeve nëse duhet ose jo të përfshihet në regjistrim edhe diaspora, që në rast se lihej jashtë, siç kërkonte pala maqedonase, rrezikonte që përqindja e shqiptarëve të binte në mënyrë të ndjeshme.
Nga Qeveria shprehen të përkushtuar për realizimin e regjistrimit, por nuk japin detaje konkrete se kur mund të ndodhë një gjë e tillë. Një proces tjetër i realizuar, ai i regjistrit të popullatës, sipas Qeverisë, “nuk nënkupton edhe regjistrimin e popullatës, por se do të shërbejë vetëm për nevoja tjera të institucioneve”.
Ish-drejtori i Entit Shtetëror për Statistikë, Donço Gerasimovski thotë se gjatë këtij viti, apo në fillim të vitit të ardhshëm, duhet të miratohen Ligji për regjistrim, që më pas të përgatiten materialet metodologjike dhe më së voni në vitin 2020 të bëhet regjistrimi i popullsisë.
“Edhe vendi ynë si çdo shtet anëtar i OKB-së është i obliguar të fillojë me përgatitjet për regjistrim, kushtet teknike ekzistojnë. Qeveria dëshiron të ketë regjistrim duke marrë parasysh nevojën për realizimin e projektimeve të saj, e që shumë prej tyre varen jo vetëm nga numri i popullatës, por edhe të dhëna tjera që dalin nga regjistrimi, si arsimimi, gjendja ekonomike e sociale, shtrirja gjeografike e faktorë të tjerë”, thotë Gerasimovski.
Sipas ekspertëve, regjistrimi i popullsisë është më se i nevojshëm për shkak se të gjitha të dhënat ende përpunohen në bazë të regjistrimit të vitit 2002, e që nuk korrespondojnë aspak më gjendjen momentale. Fatmir Bytyçi, njohës i çështjeve ekonomike, shpreson se kësaj radhe, kur do që të mbahet regjistrimi, të mos politizohet por të shpërbejë për projektimin e politikave për të mirën e popullatës.
“Ne akoma operojmë me një numër të popullsisë prej 2 milionë banorë. Kur flasin për nivelin e papunësisë ne supozojmë se ata dy milionë banorë kanë ngelur në atë nivel ose ka një rritje progresive bazuar sipas përllogaritjeve statistikore. Pra, vlerësoj se janë supozime që e bëjnë shumë të vështirë që të themi se politikat momentale apo ato që janë vendosur kanë qenë relevante për popullatën momentale. Shpresoj se përfundimisht do të kemi regjistrim të popullsisë dhe se ai nuk do të politizohet në parim, por se do të merret vetëm se nga aspekti i përfitimeve ekonomike dhe atyre afatgjate”, thotë Bytyçi.
Edhe Jane Dimevski, nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” flet për nevojën e regjistrimit të popullatës.
“Nuk ka informacione të mjaftueshme e që janë të nevojshme për analiza të ndërlikuara socio-ekonomike. Maqedonia është një nga shtetet e rralla ku nuk është realizuar regjistrimi i popullatës. Këtë ne nuk e kemi bërë tani 20 vjet, që nuk është vetëm se e turpshme, por edhe e dëmshme për të gjitha proceset, pasi me këtë pamundësohet planifikimi i politikave në bazë të parametrave të popullatës, numrit, arsimimit e kështu me radhë”, thotë Dimeski.
Profesori, Risto Malçevski thotë se evidencat mbi popullatën janë të domosdoshme, edhe pse ato sipas tij ekzistojnë bazuar me letërnjoftimet dhe pasaportat e lëshuara për qytetarët. Por, ai nuk e përjashton mundësinë e politizimit, në rast të ndryshimeve të mëdha sa i përket përqindjes së popullatës apo pjesës që ka të bëjë me përkatësinë entike.
“Ky problem mund të na çojë në rrugë tjetër. Mbrojtësit e maqedonizmit thënë kushtimisht, këtë mund ta shfrytëzojnë nëse do të dalin të dhëna tjera sa i përket aspektit etnik mbi bazën e të cilave përkufizohen të drejtat e gjuhës dhe të drejta tjera, dhe në këtë rast regjistrimit do të merrte një kahje krejt tjetër”, thotë Malçevski duke aluduar për shqiptarët, të drejtat e të cilëve kanë për bazë përqindjen e tyre në shtet.
Ndryshe, për dështimin e regjistrimit të popullatës në vitin 2012, Prokuroria Speciale ka nisur hetimet nën dyshimin se partitë në pushtet regjistrimin e kanë dështuar qëllimisht për evituar pasojat e mundshme ndaj subjekteve të tyre politike.