Ligjvënësit në Estoni kanë shpallur Rusinë “regjim terrorist” për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
Ky vendim po ashtu ka të bëjë me veprimet që Rusia ka marrë që nga nisja e pushtimit në fund të shkurtit, përfshirë aneksimin e paligjshëm të katër rajoneve ukrainase, dhe kërcënimeve të maskuara të presidentit rus, Vladimir Putin, lidhur me mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore.
Deputetët e Parlamentit estonez votuan me 88 vota për, asnjë kundër dhe tri abstenime për deklaratën, në të cilën thuhet se shteti “nuk do të njohë kurrë shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës përmes agresionit dhe referendumeve të rreme”.
“Parlamenti shpall Rusinë regjim terrorist dhe Federatën Ruse shtet që mbështet terrorizimin, veprimet e së cilës duhet të kundërshtohen. Parlamenti i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të miratojë deklarata të ngjashme”, u tha në njoftim.
“Regjimi i Putinit, me kërcënimet për sulm bërthamor, e ka shndërruar Rusinë në kërcënimin më të madh ndaj paqes në Evropë, por edhe në mbarë botën”, u shtua në njoftim.
Në deklaratën e miratuar po ashtu u shpallën organizata terroriste separatistët e mbështetur nga Rusia në rajonet lindore ukrainase të Donjeckut dhe Luhanskut, por edhe grupin e mercenarëve Vagner, që po ashtu operon në Ukrainë.
Ligjvënësit në Estoni po ashtu kanë mbështetur idenë që Rusisë t’i largohet statusi i anëtares së përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dhe po ashtu i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian që të vendosë më shumë sanksione ndaj Rusisë dhe aleates së saj Bjellorusisë, lidhur me luftën e Moskës kundër Ukrainës.
Më herët gjatë gushtit, Letonia e cilësoi Rusinë si shtet që mbështet terrorizmin, duke përmendur si arsye pushimin e paprovokuar të Moskës dhe aktivitetet e saj ushtarake në Siri, si dhe disa raste të helmimeve të kritikëve të Kremlinit. Ky i fundit mohon se qëndron pas helmimeve.