Ndërlidhjet

Sofja miratoi propozimin francez, Shkupi e refuzoi


Parlamenti bullgar në mbledhjen ku u votua propozimi francez për Maqedoninë e Veriut, 24 qershor 2022.
Parlamenti bullgar në mbledhjen ku u votua propozimi francez për Maqedoninë e Veriut, 24 qershor 2022.

Parlamenti i Bullgarisë votoi të premten për heqjen e vetos që ka bllokuar prej kohësh bisedimet e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ky veprim ngjall shpresa të reja se blloku mund të vazhdojë me planet e tij për t'u zgjeruar në Ballkanin Perëndimor.

Vendimi u miratua me 170 vota për dhe 37 kundër në Parlamentin prej 240 anëtarësh, tha nënkryetari i këtij institucioni, Atanas Atanasov.

Sipas tij, 21 ligjvënës abstenuan.

Bullgaria ka përdorur veton kundër Maqedonisë së Veriut tash e dy vjet, për shkak të disa mosmarrëveshjeve rreth historisë dhe gjuhës.

Me votimin e së premtes, Parlamenti bullgar mbështeti të ashtuquajturin propozim francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Propozimi parasheh që Komisioni Evropian të jetë garantues i zbatimit të tij.

Sipas propozimit, Maqedonia e Veriut duhet t'i njohë bullgarët në preambulën e Kushtetutës së saj si një nga grupet etnike përbërëse të vendit.

Maqedonia e Veriut e ka bërë të qartë qysh në samitin e krerëve të BE-së, të enjten, se propozimi francez është "i papranueshëm", pasi, siç ka thënë, nuk jep garanci për mbrojtjen e gjuhës, identitetit dhe historisë maqedonase.

Sipas zyrtarëve në Shkup, pala bullgare ka ndryshuar tekstin e propozuar.

Ndryshimet thuhet se kanë të bëjnë me kërkesën për nënshkrimin e një protokolli mes dy vendeve, i cili do ta detyronte Shkupin të ndryshojë Kushtetutën dhe të përfshijë pakicën bullgare në të, përpara se të mbahet mbledhja e parë ndërqeveritare mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.

Veç kësaj, Parlamenti i Bullgarisë ka përfshirë në tekst edhe garancitë që i kërkon nga Këshilli Evropian, sipas të cilave, ky i fundit, gjatë gjithë procesit të integrimit evropian, duhet ta njoftojë Sofjen me plotësimin e kushteve nga Maqedonia e Veriut.

Bullgaria, gjithashtu, ka përmirësuar draft-kornizën e propozuar, me kërkesën që “asgjë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nuk mund të interpretohet si njohje e ekzistimit të gjuhës maqedonase nga Republika e Bullgarisë”.

Këto plotësime nuk janë pranuar nga Maqedonia e Veriut, duke thënë se ato do të nënkuptonin “rrënim të identitetit kombëtar”.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha të premten se i takon Presidencës franceze të vendosë lidhur me propozimin e saj dhe qëndrimet e dy shteteve që janë pjesë e kontestit.

Osmani, paraprakisht, falënderoi Presidencën franceze, e cila, sipas tij, “u tregua shumë e kujdesshme në formulimin e tekstit, duke i kushtuar vëmendje ndjeshmërisë së të dyja palëve”.

Maqedonia e Veriut ka statusin e vendit kandidat për BE tash e 17 vjet dhe ka marrë dritën jeshile për të filluar bisedimet e anëtarësimit në vitin 2020.

Data për fillimin e negociatave nuk është caktuar kurrë, për shkak të vetos bullgare.

Për pasojë, edhe Shqipëria ka mbetur pas, sepse disa shtete të BE-së nuk duan që ajo të ndahet nga paketa me Maqedoninë e Veriut.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG