Ndërlidhjet

Shumë refugjatë ukrainas në Rusi ende presin pagesën e premtuar të Putinit


Fotografi ilustruese- Pamje të refugjatëve ukrainas.
Fotografi ilustruese- Pamje të refugjatëve ukrainas.

Derisa forcat ruse goditën Mariupolin me artileri të rëndë, duke e kthyer qytetin në gërmadha, Anastasia u largua nga qyteti ukrainas me djalin e saj drejt destinacionit të vetëm që dukej i mundur për ta arritur: Rusinë.

Me pak para në dorë, ajo priste me padurim të merrte pagesën prej 10,000 rublash (185 dollarë) që presidenti rus Vladimir Putin u kishte premtuar refugjatëve ukrainas edhe para se të fillonte një pushtim në shkallë të gjerë të vendit më 24 shkurt.

Paratë do ta ndihmonin atë të mbulonte nevojat themelore të saj dhe të djalit të saj për një periudhë të shkurtër kohore, derisa po strehohej në Shën Petersburg, duke pritur që lufta të mbarojë.

Tre muaj pas mbërritjes atje, ajo ende nuk e ka marrë pagesën.

"Punëtorët në qendrën e qeverisjes lokale që trajtojnë çështje të tilla "thanë se nuk dinin asgjë", tha Anastasia.

Ashtu si refugjatët e tjerë, me të cilët RFE/RL foli për këtë histori, ajo nuk donte që mbiemri i saj të publikohej nga frika e pasojave.

"[Ata thanë], prit, në një moment ata do t'ju japin", ajo tha.

Anastasia nuk është aspak e vetme në ankesën e saj.

Rusia akuzohet për “gjenocid” pas birësimeve të shpejta të fëmijëve ukrainas
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:29 0:00

Svetlana Tikhomirova, një gazetare e Shën Petersburgut, e cila është vullnetare për të ndihmuar refugjatët ukrainas, tha se kohët e fundit rreth 90 për qind e atyre që kanë mbërritur në rajonin e Leningradit – i cili rrethon qytetin e Shën Petersburgut, por nuk e përfshin atë – ende nuk e kanë marrë pagesën e tyre të premtuar.

Në një letër drejtuar Putinit në mes të qershorit dhe të publikuar në rrjete sociale, Tikhomirova tha se refugjatët ukrainas në Rusi janë kapur në një rreth vicioz.

Pa pagesën, shumë prej tyre nuk kanë para të mjaftueshme për të paguar për shërbimet – siç janë përkthimet e dokumenteve – kritike për marrjen e pasaportës ruse dhe gjetjen e ndonjë pune.

Tikhomirova është një nga qindra njerëzit përreth Rusisë që ndihmon refugjatët ukrainas me para, ushqime dhe gjëra të tjera thelbësore.

Vullnetarët, si dhe refugjatët, kanë krijuar bisedat e tyre në rrjete sociale për të ndarë përditësimet dhe shqetësimet, një prej të cilave është vonesa e pagesës.

"Situata në [Rusinë provinciale] është shumë më e rëndë sesa në Moskë dhe Shën Petersburg, sipas asaj që thonë vullnetarët", shkroi ajo në letër, duke shtuar se në zona më të largëta "vullnetarët vetë nuk janë në gjendje të ofrojnë mbështetje për refugjatët për shkak të standardeve më të ulëta të jetesës – njerëzit janë të uritur në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës”.

Kur u kontaktua nga Radio Evropa e Lirë, Tikhomirova nuk pranoi të komentonte letrën.

Kolegu i saj, Galina Artemenko, tha në një postim në Telegram se situata është "pikërisht" siç përshkruhet në letër.

Komentet e tyre duket se janë në kundërshtim me Ministrinë e Situatave Emergjente të Rusisë, e cila i mbikëqyrë pagesat për refugjatët.

Një zyrtar i paidentifikuar i ministrisë i tha medias shtetërore më 7 qershor se 301,510 refugjatë ukrainas – ose gati katër nga pesë prej atyre që zyrtari tha se aplikuan – kishin marrë pagesën prej 10,000 rublash.

Ka rreth 1.3 milion refugjatë ukrainas në Rusi, sipas OKB-së, ndërsa Qeveria ruse e ka vendosur numrin në 2.1 milionë, duke përfshirë 340,000 fëmijë. Kievi ka akuzuar Moskën se ka marrë me forcë qytetarët ukrainas në Rusi.

Shumica e refugjatëve ukrainas janë pensionistë të dobët financiarisht dhe gra me fëmijë, pjesërisht për shkak se shumë nga burrat në pjesët e rajonit të Donbasit të Ukrainës që mbaheshin nga separatistët e mbështetur nga Rusia shumë kohë përpara pushtimit të shkurtit kanë qëndruar – me dëshirë ose jo – për të luftuar.

Një ekspert i tha Radios Evropa e Lirë se burokracitë dhe përplasjet burokratike mund të shuanin shpresën. Për Natalia Yurchenkon, e cila iku nga Gadishulli i Krimesë me burrin e saj, kjo tashmë ka ndodhur.

Ata kanë pritur tre muaj për t'u ardhur pagesa.

“Familja jonë nuk shpreson më në pagesën e premtuar”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë. “Ne kishim shumë nevojë për para. Nuk kishim asgjë për të jetuar dhe na u desh të shisnim disa nga gjërat tona”.

Një pagesë prej 10,000 rublash në çdo rast nuk do të zgjaste shumë në qytetet më të mëdha të Rusisë. Përdorimi i sistemit të metrosë së Moskës do të hante një të katërtën e asaj sasie në një muaj.

Një nga pohimet që Putini ka përdorur për të justifikuar pushtimin e paprovokuar të Ukrainës është se rusishtfolësit në Donbas kishin nevojë për mbrojtje nga Qeveria në Kiev, për të cilën ai ka pretenduar se po kryente gjenocid atje.

Ofensiva ruse ka shkatërruar një pjesë të madhe të Donbasit, duke lënë shumë nga rusishtfolësit që i mbijetuan sulmit pa shtëpi, pasuri apo punë.

Gjashtë ditë para pushtimit të 24 shkurtit, Putin urdhëroi Qeverinë e tij që t'i paguante çdo refugjati nga Donbasi 10,000 rubla për t'i ndihmuar ata "të vendoseshin në një vend të ri [dhe] të blinin të gjitha sendet e nevojshme për momentin".

Qeveria ruse ndau 5 miliardë rubla para fillimit të luftës për refugjatët, duke nënkuptuar se parashikonte deri në 500,000 refugjatë.

Dështimi i Rusisë për të bërë pagesat në kohë, pavarësisht përgatitjes së hershme, mund të pasqyrojë pritjet e Kremlinit për një luftë të shpejtë dhe fitimtare që do të gjeneronte shumë më pak refugjatë. Mund të jetë, gjithashtu, një reflektim i një burokracie famëkeqe të pafuqishme.

Në një takim në fillim të majit me 147 refugjatë që qëndronin në Mechta, një kamp për fëmijë jashtë Moskës, Nina Ostanina, një ligjvënëse e Partisë Komuniste në dhomën e ulët të Parlamentit të Rusisë, Duma e Shtetit, tha se do të ndërhynte në emër të tyre pasi mësoi se vetëm 32 persona kishin marrë pagesat e tyre.

Ostanina i tha grupit se pasi ajo ngriti për herë të parë çështjen në Duma, Ministria e Punës u urdhërua të ndihmonte Ministrinë e Emergjencave në përpunimin e aplikacioneve dhe shpërndarjen e parave, "por ende asgjë nuk ka ndryshuar".

Ajo tha se lista e refugjatëve nga Mechta ende në pritje të pagesës ishte dërguar tek autoritetet përkatëse "por gjithçka u zvarrit përsëri atje".

"Sa kohë mund të flasim për këtë?" tha ajo e zemëruar.

Për ata që nuk kanë politikanë në krah, procesi i arritjes së zyrtarëve në burokraci mund të jetë i frikshëm.

Alyona mbërriti në Shën Petersburg në fillim të majit nga rajoni i Luhanskut në Donbas dhe i thanë se do të paguhej 10,000 rubla brenda 10 ditëve. Dy muaj më vonë, ajo ende nuk e ka marrë atë pagesë.

Ajo tha se telefonoi qendrën lokale që trajtonte shpërndarjen e fondeve për të mësuar se kur do të paguhej dhe i thanë që të telefononte pas 15 minutash.

“Unë kam ditë që telefonoj, por askush nuk e merr telefonin,” tha ajo.

Refugjatët ukrainas në rajone të tjera, duke përfshirë Moskën, si dhe Krasnodarin dhe Rostovin në jug të Rusisë, i thanë Radios Evropa e Lirë se edhe ata kanë pritur me muaj për pagesat e tyre.

Olena, e cila mbërriti në rajonin e Moskës nga Mariupoli me vajzën dhe nënën e saj, tha se edhe ajo nuk ka marrë ende pagesën e saj prej 10,000 rublash, pavarësisht se ka paraqitur kërkesën e saj në prill.

Ajo tha se i është dashur të vrapojë nëpër Moskë për të mbledhur dokumente dhe për të vizituar mjekët, ndonjëherë duke qëndruar gjatë gjithë ditës në radhë.

“Nëse ju [Rusia] jeni pala pranuese [për refugjatët], atëherë na pranoni në një mënyrë normale,” tha ajo për Radion Evropa e Lirë. "Silluni në mënyrë njerëzore ndaj njerëzve që u ulën për një kohë të gjatë në të ftohtë, të uritur dhe nën bombardime dhe që u detyruan të gatuanin ushqim mbi një zjarr të hapur".

Svetlana Gannushkina, kreu i Asistencës Civile, një grup i të drejtave me bazë në Moskë që ndihmon migrantët dhe refugjatët, i tha Radios Evropa e Lirë se "procedurat e gjata burokratike" janë në qendër të problemit me të cilin përballen refugjatët ukrainas.

Ata duhet të dorëzojnë dokumente, të tilla si pasaporta e tyre, dhe të kalojnë një kontroll përpara se të mund të marrin pagesën e tyre dhe të kërkojnë një punë, tha ajo.

Një grua e moshuar në Mechta i tha Ostaninës se asaj i ishte refuzuar pagesa prej 10,000 rublash sepse nuk e kaloi kontrollin për arsye që nuk iu shpjeguan.

Megjithatë, atyre mund t'u kërkohet të udhëtojnë në një rajon tjetër ose të përballen me pengesa të tjera që u marrin kohë dhe energji, tha Gannushkina.

“Njerëzit shpenzojnë kaq shumë kohë [duke u marrë me burokracinë] dhe nuk është e qartë se si pritet të mbijetojnë ndërkohë. Me pak fjalë, ata humbasin shpresën”, tha ajo.

Marias, e cila u largua nga Donbasi për në Krasnodar, i thanë nga zyra e qeverisjes lokale se ajo dhe rastet e tjera të pagesave të vonuara po transferoheshin në rajonin fqinj të Rostovit.

"Unë as nuk e di se cilën zyrë qeveritare të kërkoj në Rostov", tha ajo.

Maria tha se pa para nuk mund të kryejë kontrollin mjekësor të nevojshëm për të gjetur punë.

Gannushkina tha se rreth 3,300 refugjatë i janë drejtuar Ndihmës Civile për ndihmë dhe se "shumë pak" kanë marrë pagesën prej 10,000 rublash.

“Sigurisht, janë para shumë të rëndësishme për këta njerëz dhe është e rëndësishme që ata t'i marrin ato menjëherë,” tha ajo.

Ganushkina tha se një tjetër pengesë për refugjatët janë kufizimet në konvertimin e hryvnyas ukrainase në rubla ruse dhe gjetjen e punës.

Refugjatët nuk mund të konvertojnë hryvnya në rubla derisa të kenë përfunduar kontrollin e historisë dhe të miratohen për pagesën.

Megjithatë, refugjatët mund të konvertojnë zyrtarisht vetëm deri në 8,000 hryvnya (275 dollarë).

Dy kufizimet ndikojnë në aftësinë e refugjatëve për të blerë mallra thelbësore pas mbërritjes në Rusi, megjithëse ata gjithashtu mund t'i drejtohen tregut të zi për këmbim valutor.

"Ku është logjika këtu?", tha Ganushkina, duke shprehur zhgënjimin.

Përgatiti: Doruntina Baliu

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG