Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka nisur procedurën për miratimin e reformave në arsimin fillor, që parashohin ndryshime rrënjësore në sistemin mësimor, si në shkurtimin e lëndëve ashtu edhe të orëve mësimore. Ministrja e Arsimit, Milla Carovska, ka thënë se “koncepti i reformës bazohet në multi-kulturën, në barazinë gjinore dhe në përfshirjen e të gjithë faktorëve në vend për të siguruar një sistem sa më efikas mësimor në Maqedoninë e Veriut”.
Ajo ka thënë se reformës apo propozim-ligjit i kanë paraprirë konsultime të gjera me faktorë të ndryshëm në vend, përfshirë edhe shoqata të ndryshme, të cilat, në debatet publike kanë mbështetur propozimin e ministrisë.
Por, disa shoqata kanë ngritur shqetësime për pasojat që mund të ketë reforma në të ardhmen e sistemit mësimor.
Samet Jahiu, mësues dhe kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH), thotë për Radion Evropa e Lirë, se fare nuk janë konsultuar me gjithë kërkesën e vazhdueshme drejtuar Ministrisë së Arsimit. Ai thotë se arsimi ka nevojë për reforma, por ajo ashtu siç janë hartuar nga ministria përkatëse.
“Ne fare nuk jemi ftuar në bisedime, ndërsa ajo (Ministrja e Arsimit) nëpër portale thotë se ka biseduar me shoqatat dhe se është marrë vesh për reformat. Ne, si shoqatë, nesër mund të kritikohemi se kemi marrë pjesë ndërsa ne fare s’e kemi idenë se çfarë reformash po bëhen... Unë nuk e kundërshtoj nevojën për reforma apo kombinimin e lëndëve pasi është fakt se ka shumë lëndë mësimore, por ato duhet të bëhen si duhet. Historia gjithmonë dhe gjithkund është mësuar, por ajo nuk mund të kombinohet apo të bëhet pjesë e lëndës së shkencave. Kjo fare nuk duket e arsyeshme”, thotë Jahiu.
Ai thekson se mësimdhënësit druajnë se reforma shumë prej tyre mund t’i lërë pa punë, meqë lëndët e Biologjisë, Kimisë, Fizikës dhe Gjeografisë do të bashkohen në një lëndë - Shkencat natyrore, kurse Historia, Edukimi qytetar dhe një pjesë e Gjeografisë do të bashkohen në lëndën e re- Shkencat shoqërore. Muzika dhe Arti do të shkrihen në lëndën e Edukimit artistik.
“Sa i përket mësimdhënësve, ajo (ministrja e Arsimit) po thotë se asnjë nuk do të mbetet pa punë, por kjo nuk është e vërtetë pasi kur të bashkohen katër lëndë në një, me automatizëm ndonjëri do të mbetet pa punë. Për shembull, lënda e Historisë parashikohet të mësohet në tremujorin e parë, në të dytin do të mësohet Gjeografia, kurse në tremujorin e tretë ndonjë lëndë tjetër. Pra, unë dyshoj se disa mësimdhënës do të mbeten pa punë”, thotë Samet Jahiu nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë.
Frikën se me këto reforma shumë arsimtarë mund t’i humbin vendet e punës e thekson për Radion Evropa e Lirë edhe Vllado Dimovski, mësues shumëvjeçar dhe drejtues i organizatës “Mësimi jetësor”.
“Reformat që tani janë duke u debatuar, konsideroj se janë në dëm të punonjësve të arsimit. Kjo për faktin se bashkim i më shumë lëndëve në një do të reflektohet në shkurtimin e fondit të orëve mësimore dhe me këtë arsimtarët mund ta humbin vendin e punës, pasi nuk do të kenë se çfarë të punojnë”, thotë Dimovski.
Edhe ai thekson nevojën për reforma, por jo reforma të shpejtuara dhe pa përfshirjen e të gjithë faktorëve pasi çdo përshpejtim mund të përsërisë dështimet nga e kaluara.
“Ne si mësues, shumë vjet kemi tentuar të iniciojmë reforma në arsim, të cilat tani 20 vjet fare nuk kanë lëvizur, por kjo që tani po bëhet, nuk mund të quhet reformë. Nuk mundet që një reforma kaq e madhe të bëhet në shpejtësi, të bëhet në kohë të ndjeshme, siç është edhe pandemia, të bëhet pa përfshirjen e të gjithë faktorëve, në veçanti të arsimtarëve, të atyre që janë të kyçur në procesin mësimor".
"Duhet kohë dhe studime gjithëpërfshirëse për të arritur qëllimin për ngritjen e nivelit në arsim. Ne i kemi pritur reformat më shumë se 20 vjet, mund të presim dhe pak kohë në kuptimin që kjo kohë të shfrytëzohet për analiza të thella. Në të kaluarën ka pasur tentime për reforma, por ato më shumë kanë qenë politike se sa përmbajtësore”, thotë Dimovski, drejtues i organizatës “Mësimi jetësor” dhe mësues shumëvjeçar në arsimin fillor.
Përveç në arsimin fillor, Maqedonia e Veriut po përballet me probleme edhe në arsimin e mesëm, ku tani një kohë po organizohen protesta e bojkot i mësimit me kërkesën për kthim në shkolla meqë nxënësit janë të pakënaqur nga zhvillimi i mësimit online.
Facebook Forum