Ermal Haziri, një i ri nga Fushë Kosova, ditë më parë, i shqetësuar vraponte nëpër korridoret e Neurokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ai po përpiqej të rregullonte dokumentet për daljen nga spitali të nënës së tij, Gynerës, e cila më 15 shkurt të këtij viti, si pasojë e rrëzimit nga lartësia, ka pësuar frakturë të kafkës dhe gjakderdhje në tru.
Pas operimit, më shumë se një muaj ajo kishte qëndruar nën kujdesin intensiv e më pas edhe pesë ditë të tjera, kishte qëndruar në repartin e Neurokirurgjisë. Gynera, 52 vjeçe, i njeh anëtarët e familjes së saj, por ende nuk ka arritur që të komunikojë në mënyrë verbale me ta. Ajo me vështirësi i lëvizë gjymtyrët dhe për momentin nuk mund të ecë. Në fletë-lëshimin që i është dhënë, është udhëzuar për tretman rehabilitues, si dhe për konsultime me fiziatrin dhe logopedin.
Ermal Haziri, thotë se nënën e tij tashmë po e dërgon në shtëpi.
“Kam ardhur ta marrë nënën. E kanë lëshuar që ta dërgojmë në shtëpi. Këtu nuk mund të qëndrojë më gjatë, sepse po thonë se nuk kanë kushte. Na thanë që ta dërgojmë në shtëpi për rehabilitim, në mungesë të një qendre për rehabilitim në Kosovë për ata që kanë pësuar trauma të këtilla. Na thanë se ne duhet ta sigurojmë fizioterapinë dhe logopedin”, tha Ermali.
Ai shtoi se për daljen e nënës nga spitali i është dashur të sigurojë transport privat.
Kosova është ndër vendet e rralla në Evropë, e cila ende nuk ka qendër rehabilitimi për pacientët ose qendër për kujdesin paliativ.
Drejtori i Klinikës së Neurokirurgjisë, Arsim Morina, thotë se kjo situatë është dëshpëruese dhe i takon politikave zhvillimore të shëndetësisë, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë.
“Pas operimit, zakonisht i mbajmë pacientët për një kohë më të gjatë, këtu në klinikë. Por, dihet që edhe këtu jemi të kufizuar dhe kjo nuk mund të zgjasë. Kur pacientët vijnë pak në vete, atëherë i lirojmë për mjekim shtëpiak, në mënyrë që më pas të mjekohen privatisht në ndonjë qendër rehabilituese”, theksoi Morina.
Ai ka përkujtuar se në ish-Jugosllavi, secila republikë dhe dy krahinat kanë qenë të detyruara të kenë qendrat e tyre rehabilituese. Një qendër e tillë, në Kosovë, ka qenë në Banjën e Pejës, e cila më nuk funksionon sipas sistemit publik.
Sot, për shkak të mungesës së një institucioni të tillë, pacientët nga Kosova janë të detyruar që mjekimin ta vazhdojnë në mënyrë private. Në rast se familja nuk ka mundësi financiare për diçka të tillë, mjekimi vazhdohet në shtëpi, me ndihmën e familjarëve.
Lidhur me atë se kur Kosova mund ta ketë një qendër kombëtare të rehabilitimit, Ministria e Shëndetësisë e Qeverisë së Kosovës, përmes një deklarate të shkruar i ka thënë Radios Evropa e Lirë se është në procesin e shqyrtimit të nevojave dhe investimeve të reja, së bashku me ekspertët e Komisionit Evropian “me qëllim të definimit të projekteve të mëdha për të ardhmen”.
Kjo ministri ka shtuar se në institucionet shëndetësore publike ekzistojnë shërbimet për fizioterapi dhe logopedi, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Shërbimin Klinik dhe Spitalor Universitar, po punon që ato shërbime të forcohen edhe në spitalet rajonale, në mënyrë që pacientëve të mos u duhet të shkojnë në Prishtinë për shërim.
Në familjen Haziri, e cila ka gjashtë anëtarë, përveç babait të Ermalit, nuk është i punësuar askush tjetër. Ermali tashmë gjendet para dilemës së çfarë të bëjë tutje për shërimin e nënës së tij.
“Do të kemi vështirësi financiare, por duhet të gjendemi disi”, tha Ermali.
Siç ka rrëfyer ai, vetëm gjatë qëndrimit të nënës së tij në kujdesin intensiv, familjes së tij i është dashur të ndajë mesatarisht 50 euro në ditë për barëra.
Ndërkaq, Fatoni, bashkëshorti i Gynerës, thotë se nuk është problem vetëm mungesa e një qendre rehabilituese.
“Këtu nuk as kushte, as barna, asgjë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Faton Haziri.
Për më shumë, shteti nuk u ofron qytetarëve as sigurimin shëndetësor. Ligji për sigurimin shëndetësor është miratuar në vitin 2014, por ende nuk ka nisur të zbatohet. Qasja në shëndetësinë publike është pa pagesë, por kjo vlen vetëm për nevojat themelore.
Sipas raportit të fundit të progresit të Komisionit Evropian, rreth 30 për qind e banorëve të Kosovës nuk kanë mundësi që të marrin shërbimet shëndetësore për shkak të varfërisë së skajshme. I njëjti raport tregon edhe për buxhetin e ulët që ndahet për shëndetësi. Përveç institucioneve shëndetësore publike, kujdesi shëndetësor ofrohet edhe në institucionet private, të cilat janë më shumë se 1 mijë sosh.