Pas arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq të shkollës “Mehmet Akif” nga Kosova, kanë reaguar krerët më të lartë shtetërorë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një postimi në Facebook ka shprehur zhgënjimin e tij lidhur me, siç ka thënë, dështimin e mbrojtjes së parimeve thememore "të të drejtave njerëzore për shtetasit e huaj, që jetojnë dhe punojnë në vendin tonë".
“Unë jam i informuar nga organet kompetente pas ngjarjes se gjashtë shtetas janë deportuar sot në Turqi me arsyetimin se nuk kanë pasur leje qëndrimi në Kosovë. Ne tani duhet të sqarojmë arsyet që kanë çuar deri në deportimin e këtyre shtetasve turq për në Turqi. Dua të siguroj qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të gjithë shtetasit e huaj që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, se Kosova do të mbrojë me çdo kusht vlerat e saj kushtetuese, të cilat mbi gjithçka tjetër, i sigurojnë çdo individi që të shpreh pa frikë identitetin, besimin, kulturën, ideologjinë, mendimin dhe fjalën e lirë".
Thaçi po ashtu ka thënë se askush nuk guxon të persekutohet, censurohet apo edhe deportohet për shkak se ka një besim apo ideologji ndryshe nga dikush tjetër.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka deklaruar se nuk ka qenë i informuar nga asnjë institucion vendor lidhur me këtë rast.
“Sot, përmes një operacioni të ndërmarrë nga AKI në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë ndaluar dhe deportuar 6 qytetarë turq. Ka disa elemente që e bëjnë të paqartë këtë operacion deri te urgjenca e deportimit. Si kryeministër i Kosovës duke mos qenë i informuar nga asnjë institucion vendor për ndalimin dhe deportimin e tyre, do të veproj në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë veprim dhe paqartësitë rreth këtij veprimi”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës dërguar medieve.
Lidhur me deportimin e shtetasve turq ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me ngjarjet e ditës së sotme.
“Arrestimi i sotshëm i gjashtë shtetasve turq, banorë me leje të vlefshme qëndrimi në Kosovë dhe punonjës në Kolegjin “Mehmet Akif” të akredituar sipas standardeve përkatëse të Kosovës, nuk përfaqëson as formën e duhur të zhvillimit të sundimit të ligjit as konsolidimit të nevojshëm të demokracisë”, ka shkruar Veseli në Facebook.
Nazmi Ulus, drejtor i Shkollës "Mehmet Akif" në Lipjan, pas arrestimit të kolegëve të tij, thotë se i frikësohen dëbimit nga Kosova për në Turqi.
“Unë jam vërtet i frikësuar për veten, për familjen time dhe për të gjithë kolegët e mi, por unë mund ta them se besoj në mbështetjen e institucioneve të Kosovës dhe sistemin demokratik të Kosovës që të mos ndikohet nga presidenti turk, regjimi i Erdoganit”, thotë Ulus.
Kundërshtimin e arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq e ka shprehur edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ).
“Autoritetet kosovare që synojnë të integrohen në demokracinë e përparuar, me këtë arrestim po e vënë në dyshim të skajshëm qëllimin dhe orientimin demokratik duke iu nënshtruar një kërkese autokratike dhe duke u rreshtuar në anën e përndjekësve politikë. Në këtë qërim hesapesh midis Erdoganit dhe Gylenit, Kosova duhet të mbajë qëndrim neutral duke respektuar standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut”, thuhet në një komunikatë të KMLDNJ-së.
Shkollat "Mehmet Akif" në Kosovë i përkasin Institucionit Arsimor Gylistan.
Ky i fundit ka kopshte, institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme në gjithë Kosovën.
Nxënësit e kësaj shkolle nga disa qendra në Kosovë, janë mbledhur sot në kryeqytet për të protestuar, lidhur me ngjarjet e sotme.
Duke mbajtur pankartat “Mos ma kufizo lirinë” dhe “Lironi mësuesit” ata kanë kërkuar drejtësi për shtetasit turq.
Besohet se këto institucione janë të frymëzuara nga Lëvizja Hizmet e Fethullah Gulenit, klerikut fetar turk, të cilin presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e fajëson për orkestrimin e përpjekjes për grushtshtet në Turqi, në vitin 2016.
Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit në Kosovë kanë deklaruar më herët për Radion Evropa e Lirë se këto shkolla veprojnë në përputhje me ligjet e Kosovës.