Ndërlidhjet

“Rasti Blakaj” dekurajon raportimin e rasteve të korrupsionit


Rasti i fundit i dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj, mund të jetë mjaft dekurajues për qytetarët dhe bizneset që t’i raportojnë rastet e korrupsionit, thonë përfaqësues të shoqërisë civile dhe ata nga organizatat ekonomike në Kosovë.

Prokurori Blakaj, i cili ka dhënë dorëheqje javë më parë, ishte duke hetuar rastet e cilësuara si të ndjeshme, sidomos ato që ndërlidhen me dyshimet për manipulimet me lista të veteranëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës [UÇK].

Dorëheqja, sipas arsyetimit të prokurorit Blakaj, erdhi si pasojë e presioneve që bëheshin ndaj tij.

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe nga hulumtimet e bëra del në pah se bizneset janë të dekurajuara për të raportuar rastet e korrupsionit.

“Dorëheqja e prokurorit Blakaj i cili nuk arriti të çojë deri në fund një proces për të cilin ka qenë përgjegjës dhe rastet e ndërhyrjes në gjyqësor, janë dy veprime që ndikojnë tek investitorët edhe të brendshëm edhe të jashtëm sa i përket përceptimit të tyre lidhur me sistemin e drejtësisë dhe pavarësisë së gjyqësorit”, thotë Zeka.

Nga një hulumtim që ka bërë nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, shton Zeka, është theksuar se bizneset edhe më tej nuk e kanë besimin e duhur në sistemin e drejtësisë.

“Në secilin takim që kemi pasur me bizneset njëra nga përgjigjet nga bizneset ka qenë se si t’u besojnë këtyre mekanizmave të drejtësisë dhe institucioneve në përgjithësi kur rastet e raportuara të korrupsionit nuk arrijnë të shkojnë deri në fund. Po ashtu, hulumtimi ka treguar për një perceptim të lartë të korrupsionit në vend”, thotë Zeka.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të jetë ndër më të kritikuarit për joefikasitet, mospërfundim të lëndëve si dhe për nivel të lartë të korrupsionit.

Raporti i fundit i progresit nga Komisioni Evropian kishte theksuar se administrata e gjyqësorit është e ngadaltë dhe joefikase, ndërkaq që gjyqësori edhe më tej mbetet i ekspozuar ndaj ndikimit politik.

Arton Demëhasaj, drejtor në Organizatën për Demokraci dhe Anti-Korrupsion "Çohu", në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se me këtë sistem të drejtësisë vështirë se dikush raporton rastet e korrupsionit.

“Edhe pa rastin Blakaj, qytetarët, por edhe bizneset, kanë qenë të dekurajuar me trajtimin e rasteve të korrupsionit që kanë bërë institucionet e drejtësisë për faktin se ato raste nuk janë shqyrtuar me kohë, janë zvarritur, janë parashkruar dhe nuk ka pasur ndonjë nivel të lartë të besimit, por rasti i fundit i ka vendosur vulën kësaj çështje”, thotë Demëhasaj.

Ai shton se derisa nuk ka raportim të rasteve të korrupsionit, niveli i kësaj dukurie mund edhe të shënojë rritje.

“E dimë që rastet e korrupsionit është vështirë të vërehen direkt nëse dikush nuk i raporton, kështu që rritja e mosraportimit të rasteve mund të ndikojë që niveli i korrupsioni të rritet. Por, mbi të gjitha e gjithë kjo do të mund të ndikojë edhe në procesin e liberalizimit të vizave”, thotë Demëhasaj.

Ndryshe, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, përbën tashmë një prej kërkesave më të shpeshta të faktorit ndërkombëtar, drejtuar institucioneve përgjegjëse të Kosovës.

Ata u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse në Kosovë që të ndërmarrin hapa konkret në luftimin e korrupsionit, si njëri prej kushteve në rrugën e saj në integrimet evropiane.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG