Ndërlidhjet

Mbi 1500 raste me kancer për një vit


Qelizat kancerogjene
Qelizat kancerogjene

Në Kosovë gjatë vitit 2017, janë evidentuar mbi 1500 raste të reja me kancer. Mbi 170 mijë shërbime dhe 31 mijë konsulta ka kryer stafi mjekësor në Klinikën Onkologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Këto të dhëna i ka bërë publike për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Institutit Onkologjik, Ekrem Hyseni, me rastin e ditës botërore e sëmundjes së kancerit, e cila shënohet më 4 shkurt.

“Numri prej 1539 rasteve të reja me kancer nuk është rritje reale e të prekurve me këtë sëmundje, por më shumë ka qenë vetëdijesimi i njerëzve për sëmundjen dhe paraqitja apo vizita tek mjeku. Kanë qenë 170 mijë shërbime dhe 31 mijë konsulta, ku 24 mijë kanë marrë mjekim venoz. Lista e pritjes nuk ka qenë e gjatë, varësisht nga shërbimet, ka zgjatur nga 3 deri në 4 javë”, tha Hyseni.

Klinika e Onkologjisë nga dita e premte ka filluar me aplikimin e shërbimit 24 orësh për pacientët kurativ.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka premtuar se Instituti Onkologjik do të ketë furnizim më të mirë me barna dhe material shpenzues, si dhe do të rritet stafi mjekësorë në këtë klinikë.

“Mendoj se personeli mjekësorë kryen një punë të mrekullueshme dhe shërbim 24 orësh do t’u krijojë pacientëve mundësinë që të mos kërkojnë ndihmë mjekësore jashtë këtij instituti. Është një masë direkte që ndikon në jetën e qytetarëve, pra shërbimi 24 orësh. Mendoj se do të ketë shërbime tjera të reja dhe do të bëjmë furnizim më të mirë më barna. Do të ketë rritje të personelit mjekësorë. Është një fillim dhe ne ende nuk kemi përfunduar me risi në shëndetësinë kosovare”, tha ministri Ismaili.

Në anën tjetër, Ekrem Hyseni thotë se lista me barna esenciale nuk ka qenë e mbuluar qind për qind gjatë tërë vitit 2017.

“Furnizimi nuk ka qenë i mbuluar 100 për qind, por ka qenë relativisht i mirë. Presim që lista të mbulohet edhe më mirë gjatë vitit 2018, duke e pasuruar listën edhe më tej me produkte të reja”, thotë Hyseni.

Ndërkohë, pacientët thonë se përkundër kujdesit të mirë në trajtim, Institutit Onkologjik i mungojnë barnat e nevojshme për trajtim dhe se shpeshherë iu është dashur t’i blejnë vetë ato.

Njëra nga pacientet aty, F.I, e prekur me kancer të gjirit, tha se i ka kushtuar rreth 20 mijë euro trajtimi i kësaj sëmundjeje, ndonëse disa barna i ka marrë edhe në Institutin Onkologjik.

“Unë kur jam diagnostikuar me kancer të gjirit, në Institutin Onkologjik nuk ka pasur furnizim të mirë me barna. Andaj, shumicën e tyre më është dashur t’i blej vetë. Më ka kushtuar trajtimi mbi 20 mijë euro. Por, stafi mjekësorë dhe kujdesi në Institutin Onkologjik ka qenë shumë i mirë e korrekt”, tha ajo.

Sidoqoftë në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se furnizimi gjatë tërë vitit të kaluar nuk ka qenë i dobët. Sipas të dhënave, bazuar në divizionin e farmacisë brenda Qendrës Klinike Universitare, rezulton se furnizimi në total për tre mujorin e parë të vitit 2017, ka qenë mbi 89 për qind, në tremujorin e dytë furnizimi ka qenë 86 për qind, derisa për tre mujorin e tretë 72 për qind.

Për tre muajt e fundit të vitit 2017, furnizimi total me barna e material shpenzues ka qenë rreth 60 për qind, për një periudhë kur nuk ka pasur rishikim të buxhetit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG