Arnisa Osmani, është e mbijetuar e kancerit të gjirit. Në Ditën botërore kundër kancerit, ajo ka folur për Radion Evropa e Lirë, duke treguar për sfidat, por edhe dëshirën e madhe për jetën, çka, sipas saj, e ka ndihmuar për ta fituar betejën me këtë sëmundje.
Ajo ishte diagnostikuar me kancer në gji në shtator të vitit 2018, derisa thotë se ishte operuar në një spital privat, kurse trajtimin e kishte marrë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Institutin Onkologjik.
“Duaje jetën ashtu siç e kam dashur dhe e dua. Dorëzimi është gjëja më e lehtë, por beteja është e vështirë. Por, ne duhet të luftojmë që ta fitojmë betejën. Luftoni deri në fund, ashtu siç kam luftuar unë dhe tash një vit e gjysmë jam mirë, duke buzëqeshur”, thotë Arnisa.
“Ky është një mesazh i imi për të gjitha gratë që preken me kancer të gjirit. Trajtimin e kam bërë në Institutin Onkologjik, hemoterapinë dhe rrezatimin. Nuk kam asnjë vërejtje as për stafin e as për mungesë barnash. Stafi nuk është kujdesur vetëm për mua ndryshe nga pacientë të tjerë, pra të gjithë e kemi marrë trajtimin e njëjtë, të mirë. Kam vetëm fjalë të mira”, tha Osmani.
Drejtori i Institutit Onkologjik, Ilir Kurtishi, thotë se gjatë vitit 2019, janë regjistruar 1 mijë e 586 raste të reja të kancerit në Kosovë. Krahasuar me vitin e kaluar, ka pasur rritje prej 3 për qind.
Ai shtoi se mjekimi i sëmundjeve malinje bëhet në tri hallka, në mënyrë kirurgjikale, përmes mjekimit onkologjik medikamentoz dhe mjekimit me rreze. Që të tri format bëhen edhe në Kosovë, thotë ai.
“Prej numrit të përgjithshëm të të prekurve me kancer në Kosovë, te femrat prin kanceri i gjirit, derisa te meshkujt ai i mushkërive, ndërkaq mosha mesatare e të prekurve, është rreth 50 vjeç”.
“Klinika e Onkologjisë ka pasur sfida të shumta gjatë vitit 2019, të cilat i ka tejkaluar dhe shpresojmë këtë vit këto sfida të jenë më të lehta, të bëjmë trajtime edhe më të mira, pasi sëmundjet malinje kanë tendencë të rritjes si në çdo vend tjetër”, tha Kurtishi.
Arben Bislimi, kryetar i Shoqatës së onkologëve, tha se një e treta e sëmundjes së kancerit, mund të parandalohet nëse zbulohet me kohë.
“Rreth 9.6 milionë njerëz në botë vdesin çdo vit nga kanceri dhe po mendohet që në dekadën e tretë të këtij shekulli, ky numër do të dyfishohet. Kanceri është sëmundja e dytë më vdekjeprurëse, por që një e treta e kësaj sëmundjeje mund të parandalohet përmes zbulimit të hershëm, shmangien e faktorëve të rrezikut dhe kjo na jep një arsye më shumë për të vepruar”, tha ai.
“Te ne, në Klinikën e Onkologjisë është vija e parë që ballafaqohemi me të sëmurët. Ne do t’u ofrojmë të gjithë pacientëve pa dallim asistencën tonë njerëzore e profesionale, pasi së bashku mund t’ia dalim”, tha Bislimi.
Nafije Latifi, themeluese e shoqatës “Jeta Vita”, shoqatë kjo që ndihmon gratë e prekura me kancer të gjirit, e që njëherësh vetë Latifi ka qenë edhe pacientja që i mbijetoi kësaj sëmundjeje, thotë se kanceri i gjirit atakon çdo të dhjetën grua gjatë jetës së saj.
“Unë e di se në çfarë situate kalon një pacient. Synimi ynë me hapjen e organizatës, ka qenë që t’i vetëdijësojmë gratë. Është mirë të paraqiten te mjeku duke bërë kontrolle sistematike, pasi që paraqitja e hershme është lehtësim në trajtim, cilësi më e mirë e jetës, shpenzime më të pakta”, thotë ajo.
Ndryshe Klinika e Onkologjisë tashmë kryen edhe mjekimin e tumoreve solide adulte nga mosha 16-vjeçare, me medikamente dhe me rreze.