Situata epidemiologjike ka dominuar raportimin e Radios Evropa e Lirë gjatë javës që po lëmë pas. Numri i vdekjeve dhe rasteve të reja me COVID-19 në çdo ditë të javës ka qenë i lartë. Ndër temat tjera, veçojmë arritjen edhe të dy grupeve tjera të afganëve në Kosovë të cilët u strehuan në ish-kampin e "Bechtel Enkas" në afërsi të kampit ushtarak Bondsteel. Pastaj, këtë javë u bë një vit që kur Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje për normalizimin e raporteve ekonomike në Uashington. E, kur jemi te Shtetet e Bashkuara, disa të rinj kosovarë treguan për rrugën e tyre që të ndjekin ëndrrën amerikane...Këto janë disa prej temave që Radio Evropa e Lirë ka trajtuar në javën që po lëmë pas, të cilat po ua risjellim sërish.
Spitalet në prag të limiteve
Më 31 gusht raportuam se Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), është duke u përballur me fluks të madh të pacientëve të dyshuar se janë me COVID-19.
Këtë e konfirmoi drejtori i këtij shërbimi, Valbon Krasniqi.
Ai shtoi se brenda QKUK-së, Klinika Infektive, Pulmologjia dhe Dermatologjia, objekti i Mjekësisë Sportive, një njësi e veçantë e kujdesit intensiv, tashmë janë shndërruar në njësi për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Po ashtu, reparte të veçanta për pacientët me COVID-19 tashmë ka edhe në Pediatri dhe në Gjinekologji.
Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se “situata e rënduar epidemiologjike dhe ngarkesa e lartë spitalore kërkon mobilizim të kapaciteteve shtesë”.
S’ka vaksina aq sa ka interesim
Më 30 gusht disa qytetarë i thanë Radios Evropa e Lirë se kanë vështirësi në caktimin e termineve për vaksinimin kundër COVID-19.
Nga Ministria e Shëndetësisë thanë se terminë të rinj do të gjenerohen varësisht prej stokut të vaksinave dhe ekipeve të vaksinimit në dispozicion.
Ka vaksina, por të dala afatit
Pavarësisht se Ministria e Shëndetësisë kishte përmendur gjenerimin e stokut të vaksinave, dy ditë më vonë u njoftua se Kosova heq nga përdorimi mbi 133,000 vaksina.
Vaksinat kanë qenë pjesë e një donacioni nga Norvegjia. Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia tha se kemi lajmëruar qysh në fillim se afati i tyre është deri më 31 gusht.
Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, ai tha se “dezinformatat për afatin e këtyre vaksinave” kanë bërë që të bie besimi në to dhe që qytetarët të refuzojnë marrjen e tyre.
Ai paralajmëroi se në ditët në vijim në Kosovë do të arrijnë edhe doza të tjera, ndërsa tha se qendrat e vaksinimit do të punojnë edhe fundjavave, nisur nga 11 shtatori.
Shtetet e Bashkuara po dërgon në Kosovë mbi gjysmë milioni doza të vaksinës kundër koronavirusit të Pfizerit, derisa vendi po përballet me rritje të rasteve të reja dhe vdekjeve nga koronavirusi.
Shtëpia e Bardhë tha për Radion Evropa e Lirë se 503,100 doza do t’i dorëzohen Kosovës duke filluar nga 3 shtatori.
Deri të premten (3 shtator) në Kosovë kanë arritur afërsisht 450 refugjatë afganë, të cilët do të qëndrojnë përkohësisht. Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Jeta Tela, shefe e kabinetit dhe këshilltare e lartë politike e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Afganët të cilët vijnë në Kosovë, do të qëndrojnë derisa t'iu rregullohet dokumentacioni për t'u vendosur në Shtetet e Bashkuara apo në ndonjë shtet anëtar të NATO-s. Kosova ka qenë ndër vendet e para që ka bërë të ditur se do të strehojë përkohësisht qytetarët afganë, të cilët kanë punuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s.
Gjyqtari i Kushtetueses përplas politikanët serbë
Radomir Llaban, i cili aktualisht është gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, është bërë “mollë sherri” ndërmjet Listës Serbe, parti kjo udhëheqëse e serbëve të Kosovës, dhe njërit prej ish-anëtarëve dhe themeluesve të këtij subjekti politik, Branimir Stojanoviqit, ish-zëvendëskryeministër i Kosovës.
Marrëveshja e Uashingtonit: Çka u zbatua e çka jo?
Më 4 shtator u bë një vit që kur Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump.
Radio Evropa e Lirë, ka hulumtuar se çfarë kanë zbatuar të dyja palët nga Marrëveshja e Uashingtonit dhe çfarë jo.
Rruga e vështirë në ndjekje të ëndrrës amerikane
Një i ri nga Kosova tregon për rrugën e tij drejt ëndrrës amerikane.
“Është bërë si slogan apo shabllon thënia ‘për një jetë më të mirë’, mirëpo definitivisht qëndron sot e asaj dite”, thotë ai.
E një tjetër i ri kosovar është kthyer nga mërgimi në Kosovë për të realizuar idenë e tij:
Facebook Forum