Ndërlidhjet

Raportohet se BE-ja do të arrijë pajtueshmëri për garancitë e sigurisë për Ukrainën


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. (Fotografi nga arkivi)
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. (Fotografi nga arkivi)

Bashkimi Evropian (BE) është duke biseduar me Kievin për garancitë e mundshme të sigurisë, me qëllim që t’i kryejë “zotimet e mëdha të sigurisë” për Ukrainën deri në fillim të korrikut, raporton gazeta gjermane Welt am Sonntag.

Kjo gazetë raportoi më 11 maj se e ka parë dokumentin e një drafti në Bruksel, në të cilin gjithashtu diskutohet nëse mund të dërgohen në Ukrainë ushtarë nga vendet e BE-së.

Anëtarët nga 27 vendet anëtare të BE-së “së fundmi u pajtuan” për një tekst “konfidencial” 11-faqesh, sipas gazetës.

Welt shtoi se në tekst shkruhet se “përjashtohet pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e ushtarëve të BE-së përkrah ushtarëve ukrainas në operacionet luftarake kundër Rusisë”.

Por, vendet zotohet, sipas dokumentit, për ta furnizuar Ukrainën me armë dhe armë jovdekjeprurëse dhe për ta ndihmuar me stërvitje.

Shumica dërrmuese e vendeve të bllokut e kanë ndihmuar Ukrainën prej se Rusia e nisi pushtimin e paprovokuar dhe të jashtëligjshëm të saj në shkurt 2022.

Ka disa muaj që presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nuk e hedh poshtë mundësinë e dërgimit të trupave nga vendet aleate perëndimore të Kievit në Ukrainë.

I pyetur drejtpërdrejt në mars, ai tha se “të gjitha këto opsione janë të mundshme”.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është përpjekur ta përshkruajë ndihmën ushtarake për Ukrainën si tregues që NATO-ja dhe Perëndimi është i përfshirë tashmë në konflikt.

Shtetet e Bashkuara dhe mbështetësit e tjerë të Kievit e kundërshtojnë këtë portretizim.

NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara e kanë kufizuar me kujdes përfshirjen e tyre, për të mos i dhënë Moskës përparësinë në atë që ato e cilësojnë si një luftë pushtuese në Ukrainë, e cila kërcënon rendin dhe sovranitetin ndërkombëtar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG