Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar si të një “rëndësie të veçantë” vizitën e paraparë të sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Tiranë të enjten, duke thënë se ajo tregon se shteti shqiptar është ngritur në “një tjetër nivel” në pozicionimin e tij ndërkombëtar.
Duke folur në një intervistë për emisionin “Context” në ATV, e transmetuar të mërkurën vonë, Rama tha se vizita e Blinkenit ka të bëjë edhe me rolin e Shqipërisë në Ballkan “si një vend me dorën e shtrirë të miqësisë për të gjithë fqinjët”.
Vizita njëditore të enjten e Blinkenit është e gjashta e një sekretari amerikan deri më tani në Shqipëri, dhe e para prej vitit 2016, kur Tirana u vizitua nga ish-sekretari John Kerry.
Rama nuk tregoi se çfarë pritet të bisedojë ai me Blinkenin.
“Në fund të fundit, Shqipëria nuk është as një vend i madh, as një fuqi ushtarake. Por, më sa duket është vend i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara, për faktin se në këtë kohë kaq të trazuar dhe me kaq shumë ngarkesë për sekretarin e shtetit dhe angazhimin e SHBA-së në botë ai e sheh të nevojshëm dhe e gjen kohën për të ndaluar në Shqipëri, patjetër që nuk është pak”, tha Rama për vizitën e nesërme të sekretarit amerikan të Shtetit.
Vizita e Blinkenit në Shqipëri është në kuadër të një udhëtimi dyditor, që përfshin edhe ndalesën në Gjermani, ku ai do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Munihut, së bashku me nënpresidenten amerikane Kamala Harris, e cila do të mbajë fjalimin kryesor.
Rama e lidhi vizitën e Blinkenit edhe me politikën e jashtme dhe angazhimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Në shtator 2023, Shqipëria e udhëhoqi për herë të parë një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me Ramën si kryesues.
Në atë seancë u diskutua për pushtimin rus të Ukrainës dhe ajo ishte e para në të cilën mori pjesë fizikisht presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, prej nisjes së luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.
“[Vizita] do të thotë se Shqipëria është ngjitur një tjetër nivel në aspektin e pozicionimit dhe prezantimit të saj ndërkombëtar, falë edhe një sërë hapash shumë të rëndësishëm që kemi bërë në politikën tonë të jashtme dhe falë një sërë angazhimesh të paimagjinueshme të Shqipërisë në tryezat më të rëndësishme të politikës ndërkombëtare”, tha Rama.
Vizita njëditore e kryediplomatit amerikan në Tiranë do të përqendrohet në të ardhmen e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor.
Kjo u nënvizua nga zëvendësndihmës sekretarja amerikane e Shtetit për Evropë dhe Euroazinë, Yuri Kim, si dhe zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller.
“Ne duam të vëmë në pah bashkëpunimin e mirë që kemi me Shqipërinë, ne duam t’i falënderojmë ata që kanë qenë nikoqirët kryesorë për afganët në nevojë dhe për vazhdimin e traditës shqiptare për t’i strehuar ata që janë në rrezik”, tha Kim, duke iu referuar pranimit të afër 2.400 afganëve që ikën nga shteti i tyre, pas rikthimit të talibanëve në pushtet verën e vitit 2021.